Dizajni i shtëpisë Schiaparelli habiti publikun: disa e quajtën art të guximshëm, të tjerë reaguan me zemërim dhe pyetën: “Sa mace janë flijuar për këtë ide?”

Shtëpia e njohur e modës Schiaparelli vazhdon të shtyjë kufijtë e imagjinatës edhe në Javën e Modës në Paris. Por këtë herë vëmendjen nuk e morën vetëm veshjet, por edhe një model këpucësh që shkaktoi reagime të forta: këpucë me koka maceje në pjesën e përparme.


Sfilatat e kësaj shtëpie shpesh ngjajnë më shumë me ekspozita arti sesa me prezantime të zakonshme mode. Që nga themelimi i saj në vitin 1927, brendi është njohur për krijime të pazakonshme dhe shpesh tronditëse, të frymëzuara nga estetika surrealiste. Edhe në koleksionin për vjeshtë dhe dimër 2026, prezantuar në Paris, u shfaqën krijime që lanë publikun pa fjalë.

Që prej vitit 2019, drejtimin krijues të markës e ka marrë Daniel Roseberry, i cili e ka ndërtuar identitetin e saj në kufirin mes artit, modës dhe fantazisë, duke ruajtur frymën provokuese të themelueses së saj/

Në këtë koleksion, përveç veshjeve të veçanta, vëmendjen e rrëmbyen edhe këpucët. Disa modele u frymëzuan nga zogjtë, ndërsa në disa të tjera në majë të këpucës u vendosën koka maceje shumë realiste – me dhëmbë, qime dhe gojë të hapur.

Pamja ishte aq bindëse, sa shumë njerëz në rrjetet shoqërore menduan se bëhej fjalë për pjesë të vërteta kafshësh të përpunuara, transmeton Telegrafi.

Pas habisë së parë, reagimet nisën të vërshonin, sidomos nga dashamirësit e maceve. Komentet në rrjetet shoqërore ishin të shumta: “Sa mace janë flijuar për këtë?”, “Kjo është e frikshme”, “Pse duhet diçka e tillë?”, “Këto koka që përplasen në tokë kur ecën – është shqetësuese”.

Edhe pse pati edhe nga ata që e panë këtë krijim si një formë arti dhe guximi estetik, reagimet kritike mbizotëruan. Shumë njerëz menduan se shtëpia e famshme e modës këtë herë e kishte kaluar kufirin.

Megjithatë, duhet kujtuar se qasja avangarde është pjesë e ADN-së së Schiaparelli që nga fillimi. Krijimet e saj gjithmonë kanë synuar të provokojnë, të sfidojnë shijet e zakonshme dhe të tronditin botën e modës.

Dhe në këtë rast duket se pikërisht kjo ndodhi: këpucët me koka maceje lanë publikun mes dy ndjenjave – magjepsjes dhe tronditjes.

/Telegrafi/