LAJMI I FUNDIT:

BKS-ja do të paguajë stikersat e mjeteve motorike, që pritet të fillojë nga 1 marsi

BKS-ja do të paguajë stikersat e mjeteve motorike, që pritet të fillojë nga 1 marsi

Duke filluar nga data 1 mars 2022 është planifikuar të fillojë zbatimi i plotë i projektit për vendosjen e ngjitësve (stickers) nëpër mjetet motorike me qëllim të identifikimit më të lehtë nëse këto mjete motorike qarkullojnë si të regjistruara ligjërisht ose jo.

Përmes një komunikate për medie, nga Banka Qendrore e Kosovës është bërë e ditur se ky institucion e mbështetë Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për implementimin e këtij projekti.


“Gjatë ditës së sotme, në zyrat e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës është mbajtur takim ndërmjet Guvernatorit Mehmeti dhe Zëvendësguvernatorit Havolli me Zëvendësministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës Hysen Durmishi, përfaqësuesit e Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS) Besarb Blakaj, Kryetar i Këshillit Administrativ dhe Sami Mazreku Drejtor Ekzekutiv, ku është diskutuar lidhur me inicimin e projektit për vendosjen e ngjitësve (stickers) nëpër mjetet motorike, me qëllim të identifikimit më të lehtë nëse këto mjete motorike qarkullojnë si të regjistruara ligjërisht ose jo”, thuhët në komunikatë.

Sipas tyre, shpenzimet financiare do t’i bartin siguruesit dhe buxheti i shtetit nuk do të ngarkohet.

“BQK-ja dhe BKS-ja përkrahin Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në vendosjen e ngjitësve (stickers) nëpër mjetet motorike. Të gjitha shpenzimet financiare dhe operative lidhur me vendosjen e ngjitësve nëpër mjete motorike do ta bartin siguruesit, respektivisht BKS-ja si përfaqësuese e industrisë së sigurimeve në Kosovë. Rrjedhimisht, buxheti i shtetit të Republikës së Kosovës nuk do të ketë asnjë ngarkesë financiare lidhur me vendosjen e ngjitësve (stickers)”, thuhet në komunikatë.

Sipas tyre, duke filluar nga data 1 mars 2022 është planifikuar të fillojë zbatimi i plotë i projektit ashtu që brenda periudhës prej një viti të kemi një gjendje të re mbi automjetet e regjistruara rregullisht në Republikën e Kosovës.

“Nga kjo datë e tutje, anëtarët sigurues të BKS-së do të kenë autorizimin për vendosjen e ngjitësve (stickers) nëpër mjetet motorike, me rastin e sigurimit të tyre pranë Qendrave të Regjistrimit të Automjeteve. Për implementimin e plotë të këtij projekti, lidhur me vendosjen e ngjitësve (stickers) në mjetet motorike për identifikimin e të njëjtave nëse ato qarkullojnë në komunikacion rrugorë të regjistruara ligjërisht ose jo, do të nënshkruhet memorandum i mirëkuptimit me kohëzgjatje prej 1 viti, për monitorimin e zbatimit të të njëjtit. Zëvendësministri Durmishi u zotua se në kuadër të këtij memorandumi të mirëkuptimit, Qeveria e Republikës së Kosovës do të nxjerrë të gjitha aktet e nevojshme nënligjore për të zbatuar plotësisht projektin në fjalë”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu, në komunikatë thuhet se Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës, në kuadër të kompetencave ligjore që kanë sipas ligjit, do të verifikojnë rregullsinë e dokumentacionit përkatës të mjeteve motorike në qarkullim rrugor.

“Implementimi i këtij projekti për vendosjen e ngjitësve (stickers) nëpër mjetet motorike, ka për qëllim uljen e numrit të mjeteve motorike të pasiguruara/paregjistruara në qarkullim rrugor, si një ndër parakushtet e domosdoshme për anëtarësim në organizatën e Këshillit të Byrove në Bruksel ose gjetjen e zgjidhjeve alternative për qarkullim të lirë”, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/