Bozhinovska në takim me Varns: Pavarësia energjetike është çelësi për një shtet të qëndrueshëm

Ministrja e energjisë, minierave dhe burimeve minerale, Sanja Bozhinovska, dje zhvilloi një takim me të ngarkuarën me punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vend, Nicole Varns.
Fokusi kryesor i takimit ishte dinamika e realizimit të aktiviteteve aktuale të projekteve të Ministrisë së energjisë, minierave dhe burimeve minerale, harmonizimi i legjislacionit me standardet evropiane, si dhe planet dhe projektet e ardhshme në sektorin e energjisë.
Duke theksuar rëndësinë e projekteve strategjike në sektorin e energjisë, e ngarkuara me punë e Ambasadës së SHBA-së, Nicole Varns, vlerësoi përpjekjet e ministres Sanja Bozhinovska dhe të Ministrisë të orientuara drejt arritjes së pavarësisë energjetike të vendit, të cilat, siç u theksua, janë kyçe për krijimin e kushteve për një shtet të qëndrueshëm dhe të begatë.
Ministrja Bozhinovska gjatë takimit informoi për ecurinë e punimeve ndërtimore lidhur me realizimin e interkonektorit të gazit me Greqinë, i cili pritet të përfundojë gjatë vitit 2027. Gjithashtu, u diskutua edhe për lidhjen e gazit me Serbinë, realizimi i së cilës po zhvillohet me ritëm të përshpejtuar.
Ministrja i vlerësoi këto dy projekte si strategjike, duke theksuar se ato do ta ndryshojnë panoramën energjetike në rajon.
Gjithashtu, temë e bisedës ishte edhe anëtarësimi zyrtar i Maqedonisë në Korridorin Vertikal të Gazit në muajin shtator, i cili është një nga iniciativat më të rëndësishme evropiane për diversifikimin e furnizimit me gaz natyror dhe forcimin e stabilitetit energjetik në Evropën Juglindore, Qendrore dhe Lindore, duke siguruar një pozicionim të qëndrueshëm të vendit tonë në kuadër të zhvillimeve globale.
"Investimi në sektorin e energjisë është investim në të ardhmen. Po punojmë me ritëm të përshpejtuar për realizimin e projekteve energjetike, por edhe për përmbushjen e obligimeve që dalin nga Agjenda e Reformave. Po lidhemi energjetikisht me rajonin, e përmes tij edhe me botën. Përfitimet nga projektet që po realizojmë do të jenë të dukshme dhe konkrete, në dobi të qytetarëve dhe të shtetit”, deklaroi ministrja Bozhinovska gjatë takimit.







































