LAJMI I FUNDIT:

Boshatisen fshatrat, mbyllet biznesi në Kamenicë pas 32 viteve – shkak mungesa e punëtorëve

Boshatisen fshatrat, mbyllet biznesi në Kamenicë pas 32 viteve – shkak mungesa e punëtorëve

Fshatrat e Komunës së Kamenicës, janë boshatisur. Shumica e shtëpive kanë mbetur pa banorë e ata që kanë mbetur janë të paktë. Banorët në zonë akuzojnë pushtetet që nuk bënë asgjë për t’i ndaluar të rinjtë që t’i lëshojnë vendet e tyre. Sipas tyre brenda 15 vjetëve Kosova nuk arriti që të krijojë një prespektivë dhe një jetë më të dinjitetshme për të rinjtë e vendit.

Shpërngulja nga fshatrat e Kosovës ka vazhduar pa ndalshëm.


Komuna e Kamenicës e ka përjetuar më së vështiri dyndjen e popullatës së saj.

Sejdi Rudhani, nga fshati Roganë, kujton ditët që në biznesin e tij numëronte afër 600 konsumatorë në ditë. Sot e ka mbyllur restoranin në mungesë të punëtorëve

“32 vite kam punuar në këtë lokal, e kam mbajtur restoranin, kemi pregaditur ushqim. Mirëpo me kalimin e kohës të rinjtë na kanë ikë jashtë edhe s’po kemi punëtorë mjaftushëm. 18 vjet kam pas kamarier që ka punu këtu, tash ka ikur jashtë, shkaku kushtet ma t’mira po i lypin, e kemi mbyllur restorantin shkaku i punëtorëve”, deklaroi për RTV 21 Sejdi Rudhani.

E njejtë gjendja është edhe në një fshat tjetër në këtë komunë, Ali Lenjani, banor i fshatit Karaçevë, thotë se më herët fshati kishte gjallëri, ndërsa tani ka mbetur vetëm me gruan e tij. Fëmijët kanë ikur në vendet e Evropës për një jetë më të mirë.

“Qe dy-tri vjetë, më së shumti janë, shpërngulë e po shkojnë me viza pune. Disa po shkojnë në Gilan, disa në Prishtinë ku po e gjejnë veten. Para 10 vjetëve ka qenë ma mirë, tash askush  nuk vjen e as nuk interesohen veq të gënjejnë. Jo vetëm Komuna e Kamenicës, po askush hiç me qelë një fabrikë mi punësua disa të ri, se mu nuk ki çka më bën”, Ali Lenjani, banor i fshatit Karaçevë.

Mbi 10 mijë banorë të komunës së Kamenicës kanë ikur brenda një periudhe prej më shumë se dhjetë vjetësh.

Kryetari i Kamenicës, Kadri Rahimaj, thotë se ky trend i ikjes po vazhdon ndërvite dhe dhe duke folur me statistika pohin se në vitin 2011 komuna ka pasur 36 mijë banorë dhe se sipas tij tash numëron 27 mijë.

“…Ndoshta profesionistet në vende tjera migrojnë për shkakë të karrierës, qytetarët në vendin tonë po migrojnë për shkak të zhivllimit ekonomik, ne po mundohemi që të shohim mundësitë që I ka komuna e Kamenicës, që të fokusohemi më shumë e më tepër në zhvillimin e kapaciteteve që ka komuna që të gjenerojmë një klimë të përshtatshme për zhvillimin e bizneseve dhe të shohin një vend të qëndrueshëm në vendbanimin e tyre të përhershëm”, deklaroi Kadri Rahimaj, kryetar i komunës së Kamenicës.

Komuna e Kamenicës, numëron 58 fshatra me Koretinin si fshati më i madh.

Mos perspektiva, mungesa e investimeve dhe papunësia nuk e kanë kursyer nga largimi i qytetarëve.  I fundit prej tyre që e mendon njëjtë, në ditën e pavarësisë së Kosovës është edhe Xhevat Keka i Karaçevës.

“…Mendoj, n’qoftëse ka mundësi me ba naj zgjidhje shkaku që po më duhët, me udhëtu 30 km për në Gjilan me marrë qiken kur e ka ndrrimin e dytë deri 9 mbramje punon, kam shpenzime…”, tha Xhevat Keka, banor i fshatit Karaçevë.