"Bordi i Paqes", pse Trump zgjodhi Shqipërinë? Hoxha ‘skanon’ planin

Bordi i Paqes i Trump, ku Shqipëria ka marrë ftesën si vend anëtar, është kthyer në një nga temat ‘e nxehta’ në politikën ndërkombëtare që përpiqet të zbërthejë lëvizjen e presidentit.
Nën lupën e analistit Artan Hoxha, është një lëvizje për efikasitet dhe jo globalitet.
Sipas analizës së tij në Tv Klan, qëllimi i Trump është një organizatë që vepron shpejt, pa procedura të zgjatura.
Artan Hoxha: Nga të dhënat e këtyre tri ditëve, unë konkludoj në këtë gjë që qëllimi i presidentit Trump është efikasiteti, jo globaliteti i organizatës.
Blendi Fevziu: Ç’do të thotë efikasiteti?
Artan Hoxha: Ai do të ndërtojë një organizatë që merr vendime shpejt dhe i zbaton ato me efektivitet. Ky është qëllimi i tij parësor.
Përzgjedhja e shteteve është një tjetër nga pikat që ka tërhequr vëmendje. Në rastin e Shqipërisë, Hoxha rendit disa faktorë që e favorizojnë në marrjen e kësaj ftese. Nga ana tjetër, Trump ka luajtur disa karta për numrin e vendeve që i duhen në këtë bord dhe afatin e 22 janarit për të kthyer përgjigje.
Artan Hoxha: Nuk ka ftuar gjithë shtetet e botës, ka bërë një shortlist. 60, 70, 50 nuk janë gjithë anëtarët e OKB-së, është një pjesë, gjysma e tyre. Janë hequr një mori shtetesh anëtare të OKB-së që s’do t’i bënin kujt punë në çështjen e konfliktit të Gazës. E dyta, vendet që kanë marrë ftesën ka pasur një mendim, një arsye pse e kanë marrë. Ne mund të analizojmë Shqipërinë, pse e ka marrë Shqipëria ftesën mes 60-70 vendeve?
Blendi Fevziu: Pse, sipas teje?
Artan Hoxha: Vend multifetar, me shumicë myslimane, me harmoni, që shkojmë shumë mirë me Palestinën, që shkojmë shumë mirë me Izraelin, që kemi një histori të mbështetjes së çifutëve, përveç atyre që jemi në NATO etj. Ka shumë vende në NATO, por kaq multifetarë e me harmoni fetare si Shqipëria. Jo vetëm që nuk janë gjithë shtetet e botës, por statuti thotë kjo organizatë mund të formohet edhe me tre shtete anëtare. Pra u ka thënë të gjithëve atyre që u ka çuar letrën, hajdeni, erdhët, s’erdhët mua tre më duhen për ta formuar. Ky është faktor nxitës që të vijnë më tepër se tre. E treta, afati. Ai thotë nuk do ju pres ju për një organizatë efektive, të shpejtë, të zhdërvjellët që të nderni lëveret dhe të miratoni në procedura të stërzgjatura dhe ta çoni pas një viti firmosjen. Kush e ndan mendjen shpejt e shpejt, vjen më datë 22 në Davos dhe firmos.
Një tjetër nga lëvizjet e Trump është ruajtja e ekuilibrit me disa shtete, duke e dërguar ftesën pa qëllimin e drejtpërdrejtë për të marrë mbrapsht një “po”, thotë Hoxha.
Artan Hoxha: Disa shtete në listën e atyre që kanë marrë ftesën janë edhe për kortezi duke e paragjykuar që s’ka për të thënë po. Ka thënë unë ftesën ta çova, mundësinë ta dhashë, ti nuk erdhe, unë eci përpara.




















































