Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), ka reagon ashpër ndaj gjuhës shpifëse, denigruese dhe joetike të përdorur në demantin zyrtar të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL).

AKK thekson se kjo përbën një sulm të paprecedent institucional ndaj Drejtorit Ekzekutiv, Sazan Ibrahimi dhe përbën gjithashtu një përpjekje të hapur për të shmangur përgjegjësinë për një çështje me rëndësi strategjike për vetë komunat e Republikës së Kosovës: vazhdimësinë e financimit të Grantit të Performancës Komunale.


“Në vend të një përgjigjeje profesionale dhe substanciale ndaj kërkesës zyrtare të parashtruar nga Kryetari i AKK-së, z. Agim Aliu, më 5 maj 2025, ku kërkohet sqarim për aplikimin dhe fatin e fondeve nga thirrja e IPA III 2025–2027 “EU for Good Governance” – MAPL ka zgjedhur të sulmojë personalisht z. Ibrahimi, duke i atribuar qëndrimet e Bordit të AKK-së si “interesa personale” dhe duke aluduar në motive të ulta që bien ndesh me etikën e komunikimit institucional dhe me respektin ndaj përfaqësuesve të 38 komunave të vendit”, thuhet në reagimin e AKK-së.

Tutje AKK ka theksuar se:

“1. Çdo qëndrim, deklaratë dhe kërkesë e adresuar nga AKK-ja ndaj MAPL-së është e miratuar dhe përfaqëson vullnetin kolektiv të Bordit të AKK-së, i përbërë nga Kryetarët e Komunave anëtare dhe nuk përfaqëson në asnjë mënyrë ndonjë interes personal apo përfitim individual të askujt.

2. Përgjigja arrogante dhe denigruese e MAPL-së nuk ofron asnjë informacion konkret apo teknik në lidhje me pyetjet thelbësore të ngritura në kërkesën tonë zyrtare, që lidhen me të ardhmen e një mekanizmi financiar jetik për zhvillimin komunal – siç është Granti i Performancës.

3. Fyerjet ndaj z. Sazan Ibrahimi janë të papranueshme, të pabazuara dhe cenojnë integritetin e një personi që prej më shumë se dy dekada ka përfaqësuar me profesionalizëm interesat e Komunave të Republikës së Kosovës në raport me institucionet vendore dhe ndërkombëtare.

Një fyerje e tillë është, në thelb, fyerje ndaj të gjitha Komunave që ai përfaqëson.

4. MAPL-ja ka dështuar të ofrojë sqarime zyrtare lidhur me statusin e aplikimit në fondet e IPA III, dhe ky dështim rrezikon seriozisht vazhdimësinë e financimit të një skeme që ka ndihmuar në përmirësimin e performancës dhe shërbimeve për qytetarët”

Bordi i AKK-së i ka bërë thirrje MAPL-së të tërheqë gjuhën fyese të përdorur në demant, të kërkojë falje publike për shpifjet ndaj Ibrahimit dhe të rikthehet në rrugën e bashkëpunimit institucional me përfaqësuesit legjitimë të Komunave të Kosovës.

“Gjithashtu, u kërkojmë partnerëve ndërkombëtarë që e kanë mbështetur për vite të tëra Grantin e Performancës Komunale të ndjekin me kujdes zhvillimet e fundit, pasi rrezikohen standardet e transparencës dhe llogaridhënies në procesin e tranzicionit të menaxhimit të këtij Granti”, thuhet në reagim.

Tutje MAPL ditë më parë kishte theksuar se akuzat e AKK-së drejtuar MAPL-së nuk përbëjnë asgjë të re. "Ato në fakt janë akuzat e drejtorit të OJQ-së, Sazan Ibrahimit i cili tenton ti paraqes interesat private si interesa të përgjithshme të komunave", thuhej në reagimin e MAPL-së. /Telegrafi/