LAJMI I FUNDIT:

Bojkotimi i tri kanaleve televizive nga LVV-ja, sekretari i partisë i përgjigjet kritikave

Bojkotimi i tri kanaleve televizive nga LVV-ja, sekretari i partisë i përgjigjet kritikave

Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje, Alim Rama i është përgjigjur letrës së hapur të Qendrës Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF) që ia adresoi liderit të LVV-së, njëherazi kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, në lidhje me vendimin e partisë së tij që t’i bojkotojë tri kanale televizive në vend gjatë fushatës zgjedhore.

Sekretari Rama i është përgjigjur letrës së ECPMF një javë pasi ajo u publikua, më 10.01.2025. Ndërsa, LVV ka bojkotuar kanalet televizive – T7, Klan Kosova dhe TV Dukagjini gjatë fushatës zgjedhore që ka nisur më 11.01.2025.

Ndonëse ECPMF ia kritikoi transparencën dhe llogaridhënien partisë në pushtet, Rama thotë se LVV mbetet e palëkundur në angazhimin e saj për këto dy çështje.


Në letrën e saj, Qendra Europiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias i ka bërë thirrje kryeministrit Kurti që ta anulojë vendimin për bojkotimin e këtyre mediave dhe të sigurohet që Vetëvendosja të sigurojë qasje të barabartë në informacione publike për këto media.

“Na vjen keq për çdo keqkuptim ose dezinformatë rreth kontekstit të çështjes në fjalë. Kjo Qeveri, e udhëhequr nga partia jonë, përfaqëson udhëheqjen më demokratike që Kosova ka pasur. Ne mbajmë lirinë e fjalës, pavarësinë e medias dhe një mjedis të gjallë e të larmishëm mediatik si shtyllat themelore të demokracisë dhe parimet thelbësore që ne i mbështesim me krenari”, ka shkruar Rama.

Sipas Ramës, si parti politike kanë të drejtë të zgjedhin kanalet komunikuese “që më së miri përcjellin mesazhin e tyre dhe të sigurojnë se publiku është i mirë-informuar rreth programit politik të tyre për mandatin e ardhshëm.”

“Është esenciale të qartësojmë se ky nuk është një bojkot i medias. Vendimi për t’i përjashtuar tri kanale (televizive) specifike nuk e minon mjedisin e pasur dhe të larmishëm të medias në Kosovë, që përfshin platforma të numërta për debat dhe shumë gazetarë profesionistë në vend”, ka theksuar Rama.

Rama madje thotë se në tri studiot e kaneleve televizive të cilat i ka bojkotuar LVV, ka ofendime të shpeshta e akuza të pabaza.

“Gjuha toksike, ofendime të shpeshta, dhe akuza të pabaza që mbizotërojnë në këto tri studio, të shoqëruara me raportim të njëanshëm dhe joobjektiv, dështuan të ofrojnë një platformë të drejt për partinë tonë për të prezantuar planet e saj të fushatës dhe qëllimet”, ka thënë Rama.

Megjithatë, Rama përmend se LVV nuk është duke ia kufizuar ndonjë gazetari apo organizate mediatike mbulimin e periudhës së fushatës zgjedhore apo aktiviteteve të partisë.

“Vendimi i përket vetëm mospjesëmarrjes në debate dhe programe që nuk ofrojnë një mjedis të favorshëm për t’i shprehur këndvështrimet tona”, ka shtuar Rama.

Rama shton po ashtu se kritika gjithmonë ka qenë një gur themel i Lëvizjes së tyre dhe se i mirëpresin mendimet e ndryshme edhe kur ato i sfidojnë.

“Ne kategorikisht refuzojmë pretendimet e pavërteta se qeveria jonë ka kërkuar t’i kontrollojë mediat dhe se  përfaqësuesit tonë kanë sulmuar gazetarët e pavarur, profesionistë. Mjedisi i larmishëm i medias dhe prezenca e zërave dhe qëndrimeve të ndryshme, duke përfshirë edhe kritikat më të ashpra të Qeverisë dhe Lëvizjes Vetëvendosje si dëshmia më e fortë e kësaj” – ka thënë Rama.

Gjatë mandatit të tyre, Rama thotë se Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm për lirinë e medias, siç shprehet ai, që këto reflektojnë në indeksët ndërkombëtar.

“Ky progres megjithatë është sfiduar nga presionet e jashtme, duke përfshirë tensione të eskaluara dhe sulme në veri më 2023. Këto sulme, të ushqyera nga fqinji ynë verior nuk i ka rrezikuar vetëm gazetarët por gjithashtu e pengoi aftësinë e tyre për të performuar punën e tyre kritike”, ka potencuar Rama.

“Ne mbetemi të përkushtuar për t’u angazhuar në diskutimet publike rreth programit, ideve dhe vizionit tonë për të dy mandatet, të tanishmin dhe të ardhshëm. Lëvizja Vetëvendosje dhe qeveria e saj do të vazhdojnë ta mbrojnë lirinë e fjalës, lirinë e medias dhe komunikimit transparent me publikun përmes medias”, ka thënë në fund Rama.

Në anën tjetër, në letrën e saj, ECPMF ka theksuar se duke i bojkotuar kanalet kryesore televizive, minohet e drejta e publikut për informacion dhe roli esencial i gazetarëve në promovimin e transparencës dhe llogaridhënies.

“Të gjithë gazetarët duhet të jenë në gjendje të raportojnë lirisht dhe në mënyrë të drejtë për periudhën zgjedhore. Mbrojtja e lirive të medias dhe e drejta e publikut për një proces të informuar dhe demokratik duhet të jetë prioritet”, thuhet në letrën e ECPMF-së për Kurtin.

ECPMF tha se gjatë katër viteve të kaluara, derisa Reagimi i Shpejtë i Lirisë së Medias (MFRR) nga afër ka monitoruar zhvillimet në lirinë e medias, kanë qenë dëshmitarë të një rënie shqetësuese të lirisë së mediave në Kosovë.

“Në vitin 2022, partnerët e Platformës për Sigurinë e Gazetarëve të Këshillit të Evropës vizituan Kosovën për të vlerësuar gjendjen e lirisë së medias dhe mbrojtjen e gazetarëve në vend. Derisa pak progres është vërejtur, misioni konstatoi se “retorikë toksike dhe fushatat e shpifjeve kundër medias, financimi i pamjaftueshëm i transmetuesit publik dhe mungesa e transparencës rrezikojnë të minojnë progresin”, ka thënë ECPMF.

Më tej, ECPMF bazohet edhe në të dhënat e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës për sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve, të cilat thotë se janë dyfishuar.

“Shumica e këtyre sulmeve përfshijnë sulme verbale nga anëtarë të partisë suaj, të cilët i kanë etiketuar gazetarët si “spiunë serbë” ose bashkëpunëtorë dhe i kanë akuzuar që kanë lidhje me interesat serbe” – i ka adresuar ECPMF Kurtit.

Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias ia ka përmendur Kurtit edhe miratimin e Projektligjit për Komisionin e Pavarur për Media (KPM) në Kuvendin e Kosovës më 12.07.2024.

Sipas Qendrës, ky ligj i ri për median dështoi të përfshijë rekomandimet kritike të Këshillit të Evropës, Komisionit Evropian dhe shoqërisë civile.

“Kosova urgjentisht ka nevojë të marrë masa për të mbrojtur lirinë e medias, të promovojë transparencë dhe të sigurojë llogaridhënien e zyrtarëve publikë. Publiku, veçanërisht gjatë fushatave zgjedhore ka të drejtën themelore të qaset në informacione të ndryshme, të shqyrtojë me kujdes premtimet politike dhe t’i mbajë politikanët llogaridhënës”, ka theksuar ECPMF./Kallxo.com/

Në trend Lajme

Më shumë
Policia me aksion në veri, kapen granata, municion e pajisje ushtarake

Policia me aksion në veri, kapen granata, municion e pajisje ushtarake

Siguri
Bojkotimi i tri kanaleve televizive nga LVV-ja, sekretari i partisë i përgjigjet kritikave

Bojkotimi i tri kanaleve televizive nga LVV-ja, sekretari i partisë i përgjigjet kritikave

Lajme
“Telashe” për Elon Musk, tatimet shqiptare sekuestrojnë kompaninë “Starlink Albania”

“Telashe” për Elon Musk, tatimet shqiptare sekuestrojnë kompaninë “Starlink Albania”

Lajme
Përkundër mbështetjes për VV-në, Berisha thotë se është i pavarur - akuzon gazetarë e analistë për tentim kapje të KPM-së

Përkundër mbështetjes për VV-në, Berisha thotë se është i pavarur - akuzon gazetarë e analistë për tentim kapje të KPM-së

Lajme
Pankarta për Kosovën në protestat e studentëve në Serbi

Pankarta për Kosovën në protestat e studentëve në Serbi

Lajme
Sondazhi i parë i Valicon për zgjedhjet e 9 shkurtit, këto janë rezultatet

Sondazhi i parë i Valicon për zgjedhjet e 9 shkurtit, këto janë rezultatet

Lajme
Kalo në kategori