Bllokimi i ngarkesave me pesticide në Kroaci fut në hall fermerët shqiptarë

Bllokimi i tonelatave të domateve me pesticide mbi normë në Kroaci ka dhënë efekte në tregun shqiptar. Më të prekurit janë fermerët, të cilët tregojnë se i gjithë prodhimi i këtij viti ka mbetur stok. Mungesa e tregut ka bërë që shumica t’i hedhë produktet në kanal. Pas rastit të Kroacisë, fermerët e Samaticës theksojnë se porositë janë ndërprerë thuajse plotësisht.
“Problemi qëndron se ne, si fermerë, kemi në të gjithë zonën e Samaticës sera të ndërtuara dhe kemi investuar goxha para. Kemi prodhuar mallin sipas standardeve, disa thonë me pesticide po i nxjerrin andej nga kroati, por nuk është e vërtet kjo gjë. Unë personalisht kam një hektar serë, kam mbjellë trangull dhe pak domate, por nuk po shitet. Çmimi është i ulët, kjo është normale, por ne po vuajmë ta shesim. Tregtarët, eksporti nuk po funksionojnë si më parë”, thotë Flori Begaj, fermer.
Një prej fermerëve drejton gishtin e akuzës tek ata që abuzojnë me pesticidet, duke rënduar edhe pozitën e fermerëve të tjerë që punojnë brenda standardeve të kërkuara.
“Arsyeja e bllokimit nga shteti kroat kjo ishte, përdorimi i pesticideve të ndaluara ose mbidozë. Edhe kjo është një problematik që deri diku unë besoj që qendron këtu tek ne. Besoj që kjo është një problematik që duhet punuar sepse ndoshta dhe falë kësaj jemi në këtë gjendje këtu ku jemi, që malli nuk po shitet dhe që tregtarët nuk po vijnë të marrin mallin”, shprehet Marjo Begaj, fermer.
Fermerët ngrenë akuza edhe ndaj institucioneve shtetërore, të cilat sipas tyre nuk kanë ndërmarrë asnjë masë për të mbrojtur imazhin e bujqësisë shqiptare dhe për të ndihmuar fermerët në gjetjen e tregjeve alternative. Ata kërkojnë urgjentisht ndërhyrjen e Ministrisë së Bujqësisë dhe strukturave përkatëse për të shmangur falimentimin e tyre të sigurt./Euronews Albania

















































