Blini produkte të përdorura? Tri sende që mbajnë rrezik të padukshëm pa ngrirje

Vitet e fundit, blerja e rrobave dhe sendeve të përdorura është bërë trend, por me to duhet pasur kujdes, sepse në shtëpi mund të sillni edhe disa “banorë” të padëshiruar
Blerja në dyqane të dorës së dytë apo tregje të përdorura, nuk është më vetëm një mënyrë kursimi - sot ajo është trend dhe, për shumëkënd, zgjedhje e domosdoshme për të kontribuar në një stil jete dhe mode më të qëndrueshme, duke marrë parasysh që industria e modës është një nga ndotësit më të mëdhenj të mjedisit në botë.
Në dyqanet e sendeve të përdorura mund të gjejmë rroba unike, mobilie ose libra të rrallë që nuk botohen më. Por, përveç këtij “thesari të fshehur”, nganjëherë në shtëpi sjellim pa vetëdije edhe “banorë” të padëshiruar. Në palosjet e xhemperëve të leshtë, mes faqeve të librave të vjetër apo në shtresën e brendshme të pantoflave mund të fshihen mola, insekte të vegjël si “peshq të argjendtë”, pleshta, merimanga e pluhurit…, madje edhe spore myku.
Për këtë arsye, adhuruesit e “second hand” kanë një rregull të thjeshtë, por jashtëzakonisht efektiv: të gjitha sendet e ndjeshme, para përdorimit, për disa ditë i vendosin në - ngrirje! Po, e lexuat mirë, transmeton Telegrafi.
Këtë këshillë e rekomandon edhe revista Better Homes & Gardens, duke shpjeguar se ngrirja është një nga mënyrat më të sigurta për të eliminuar parazitët mikroskopikë, pa përdorur kimikate dhe pa dëmtuar sendet. Por cilat janë këto sende?
Rroba, tekstile dhe lodra pelushi
Xhemperët e leshtë, palltot, batanijet apo lodrat prej pelushi mund të fshehin larva molash, merimanga ose edhe pleshta - edhe pse duken të pastra dhe të rregullta. Veçanërisht të ndjeshme janë pëlhurat me origjinë shtazore, si leshi apo kashmiri.
Si të veproni? Vendoseni artikullin në një qese plastike me mbyllje hermetike, nxirrni ajrin dhe futeni në ngrirje për 48-72 orë. Pastaj lëreni të kthehet ngadalë në temperaturë ambienti para se ta hapni qesen, për të shmangur kondensimin që mund të dëmtojë pëlhurën. Për siguri shtesë, lajeni lehtë ose ajroseni.

Libra, antikuarë dhe sende prej letre
Librat e vjetër shpesh fshehin insekte që ushqehen me letër, ngjitës ose myk, si “peshqit e argjendtë”. Këto jo vetëm që janë të pakëndshëm, por mund të dëmtojnë seriozisht ekzemplarë me vlerë. Pikërisht për këtë arsye, muzetë dhe arkivat përdorin teknika të ngrirjes së thellë (shpesh për një javë ose më shumë në temperatura shumë të ulëta) për dezinfektimin e dokumenteve të rralla.
Nëse sillni në shtëpi një libër të vjetër, vendoseni në një qese plastike të mbyllur hermetikisht për të parandaluar hyrjen e lagështirës dhe mbajeni në ngrirje të paktën 48 orë, ideale është - një javë. Pas nxjerrjes, lëreni të “shkrihet” ngadalë në temperaturën e dhomës, por ende të mbyllur në qese dhe, në këtë mënyrë shmanget kondensimi që mund të shkaktojë myk.
Këpucë, pantofla dhe aksesorë mode
Këpucët e përdorura dhe aksesorët shpesh mbajnë gjurmë të dukshme përdorimi, por edhe të padukshme: spore kërpudhash, baktere ose myk. Ngrirja është një mënyrë e thjeshtë për t’i neutralizuar ato pa përdorur kimikate të forta që mund të dëmtojnë materialin.
Si të veproni? Pastroni fillimisht sipërfaqen me një furçë ose leckë të thatë, vendosini në një qese plastike dhe hiqni sa më shumë ajër. Mbajini në ngrirje të paktën 2-3 ditë, ose deri në një javë. Pas nxjerrjes, lëreni të ngrohen ngadalë në temperaturën e dhomës pa hapur qesen, për të shmangur lagështinë. Përveçse shkatërron bakteret dhe kërpudhat, kjo metodë ndihmon edhe në reduktimin e erërave të pakëndshme, duke e bërë më efektiv përdorimin e freskuesve të këpucëve.
Pse pikërisht ngrirja?
Ngrirja shkatërron vezët dhe larvat e parazitëve të padukshëm me sy të lirë. Është një metodë që përdoret edhe nga profesionistët në ruajtjen e objekteve të trashëgimisë kulturore, sepse nuk përfshin kimikate agresive dhe nuk dëmton materialet. Për familjet që e duan blerjen e produkteve të përdorura, kjo është mënyra më e thjeshtë për t’u dhënë sendeve të vjetra një jetë të re - të freskët, të sigurt dhe afatgjatë. /Telegrafi/




















































