LAJMI I FUNDIT:

BLEONA: Muzika është jeta ime!

BLEONA: Muzika është jeta ime!

Bleona Qereti është artistja e cila i ka tejkaluar kufijtë. E drejtpërdrejtë, e pandalshme dhe gjithnjë me një qëllim – janë këto tiparet që e drejtuan atë drejt një karriere të suksesshme, të cilën prej më shumë se një dekade, ajo e ka shtrirë edhe në rrafshin ndërkombëtar.

Më shumë se kurrë, Bleona ka qenë aktive këtë vit, duke sjell dy këngë të reja: “Monsters” dhe “I don’t need your love”, të cilat janë pritur shumë mirë nga publiku, dhe mbi të gjitha janë dy projekte të punuar me përkushtim, e të nisura prej vitesh – në të njëjtën kohë kur këngëtarja shqiptare filloi të bashkëpunojë me emra të famshëm ndërkombëtarë.


Bleona Qereti – artistja që i tejkaloi kufijtë (Foto: Bleona/Instagram)

Ajo vjen kësaj here në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, për të rrëfyer për më të rejat në jetën dhe karrierën e saj. Ndër të tjerash, Bleona citon faktin e kyçjes në aktrim, gjë që për momentin është prioritet për të, kjo pasi këtë vit ajo është bërë pjesë e disa projekteve filmike në Hollywood.

Për më shumë, lexoni rrëfimin e plotë të këngëtares….

Bleona, keni publikuar së fundmi projektin tuaj më të ri muzikor “Montsers”. Na flisni pak më shumë në përgjithësi rreth realizimit të këtij projekti?

Kënga ka vite që është realizuar, rreth 4 vite nga producentët e grupit Timbaland. Deri sot nuk ka qenë çasti i duhur ta publikoj sepse gjithmonë si këngë, më ka dhënë idenë e një kënge filmi, e thënë ndryshe vendi i saj perfekt do të ishte si një kolonë zanore filmi.

Prandaj rasti i duhur nuk ka ardhur për ta publikuar më herët. Duke qenë se tani jam duke xhiruar filmin tim të ri kjo këngë do të jetë kolonë zanore e tij, prandaj ishte kjo koha e duhur për ta nxjerrë. Thirra një nga shokët e mi të vjetër dhe një ndër producentët më të mirë, që ka bërë “Take you over” – Roccstar për ta bërë më ‘pop’ këngën duke i dhënë një bit pak më pop për ta dalluar nga baladat akustike.

Më pas bëmë xhirimet në Como, pasi Como është një nga vendet më të bukura në botë që mishëron emocione të forta qofshin këto emocione të mira, që përfaqësojnë kohë të bukura apo emocione që përfaqësojnë dramacitet. Como i ka të gjitha brenda – magji, dashuri, nostalgji, dramë dhe krim… Video paraprin filmin dhe filmi ka pikërisht këtë tematikë – të paktën karakteri im, Nova.

Klipi i këngës duket të jetë mjaft i veçantë, nga ku shihet se është investuar shumë mund dhe kohë. Ishte ideja juaj për skenarin i tij kaq special?

Idetë janë gjithmonë të miat në karrierën time muzikore. Është një këngë e cila flet për një dashuri të prishur, për një dashuri të cilës i ka mbetur vetëm nostalgjia dhe refleksionin që bëjmë ne për të dashurit e zemrës. Për analizën që kemi bërë duke menduar që nuk duam ta dëmtojmë, por dhe për emocionet që ti ndjen kur mohohesh si qenie njerëzore… dhe këtu fillon edhe lufta, e cila është lufte egoje po në të njëjtën kohë ekzistenciale për natyrën njerëzore.

Për mua injorimi i partnerit është më e keqja që mund të bësh. Kjo video flet për një dashuri të konsumuar, si ka qenë dhe çfarë është sot dhe gjithë reflektimin mbi të shkuarën e të tashmen.

Është këngë shumë e ndjerë dhe për mua sigurisht është histori personale. Edhe video, të cilën mendova ta lidh me realitetin që po kalojnë sot, sidomos vajzat shqiptare. Ato lidhen me dikë per jetën që ata ofrojnë, por janë thjesht zogj të mbyllur në kafaz. Dhe vjen një ditë që ato shndërrohen në skllave të veshura firmato!

Bleona Qereti (Foto: Dia Dipasupil/Getty Images/Guliver)

Ideja e videos lidhet me këtë, një artiste që u martua me dikë të pasur, të bukur, të fuqishëm, por ai e mbylli në kafaz dhe nuk e lejonte të vazhdonte karrierën. Aty vjen edhe lufta dhe prishja e martesës, nis dhe xhelozia nga ana e partnerit gjatë setit fotografik të gruas së tij.

Për mua është një nga këngët më të bukura. Siç thashë më parë është në radhë të parë një histori personale, është shumë e ndjerë dhe përjetohet shumë nga të gjithë, emocionalisht. Sidomos për ne artistët, qe shumica nga ne e kemi kaluar një ngjarje të tillë. Të gjithë mund ta gjejnë veten.

“I don’t need your love”, një tjetër baladë prekëse që u prit mirë nga publiku. Sa jeni ndarë e kënaqur me suksesin e saj?

Jam shumë e lumtur për atë këngë. Marr çdo ditë mesazhe dhe përgëzime për atë projekt që është shumë i rëndësishëm për mua. “I don’t need your love” ishte edhe debutimi im i parë si regjisore e këngës dhe “Monster” debutimi i dytë. Uroj që publiku të pëlqejë konceptin që kam unë për videot.

Bleona: “Kënga ‘I don’t need your love’ ishte një tjetër sukses” (Foto: Bleona/Instagram)

Keni qenë shumë aktive këtë vit në muzikë. Sa e lumtur ndjeheni që vazhdimisht keni prurje të reja për fansat?

Muzika është jeta ime. Fakti që kam qenë aktive këtë vit ka të bëjë me kohën. Unë jam aktualisht duke xhiruar filma, por dua ta parashtroj tregun botëror me muzikë fillimisht mbasi unë kam nisur si këngëtare dhe te gjithë më njohin si këngëtare.

Pas red carpet të ‘Vanity Fair’ bota mori një tjetër vëmendje ndaj emrit Bleona, kështu që është normal fakti që unë tani do sjell projekte serioze dhe të bukura që kanë dhe vlerësimin e kritikëve të muzikës dhe filmit, sepse të gjithë po më ndjekin me vëmendje dhe tani është koha që po vlerësojnë formimin tim si artiste. Sigurisht edhe fakti që vitin tjetër do dalin filmat do to kompletojnë figurën time si artiste më të plotësuar, 360 gradë. Me muzikë (në Spotify). Videot dhe të gjitha tour-et dhe koncertet e mia në kanalin tim në YouTube. Për filmat në Bleona IMDb. Për stilin tim të jetesës fansat më gjejnë dhe shkruajnë në Instagram. Dhe të gjitha këto më lart kane krijuar një bazë besnike fansash me themele të qendrueshme të emrit “Bleona” e cila pasqyrohet (all in one) në Bleona App.

A ka filluar puna për këngën tuaj të radhës. Nëse po? Çfarë presim tani nga Bleona?

Sigurisht që ka filluar puna për këngën e radhës. Vokalet kanë mbaruar, do të jetë këngë ‘dance’ dhe quhet “Still missing you”. Është bërë nga një producent europian këtë herë, por nuk dua të zbuloj më tepër për këtë projekt. Për mua është shumë e bukur dhe të gjithë do kërcejnë.

Bleona Qereti: “Jam duke punuar për këngën time të re, që do të vijë së shpejti për fansat e mi” (Foto: Bleona/Instagram)

Duket se po ecni mjaft mirë edhe në tregun ndërkombëtar me projektet e fundit. Cili vazhdon të jetë synimi i Bleonës?

Projekti me të cilin po merrem aktualisht është filmi “Paper Empire”, për të cilin ndihem me fat dhe jam e nderuar që më kanë zgjedhur mua si artisten e radhës. Roli im është si e dashura, këngëtarja e njërit prej mafiozëve, i cili pasi njihet me mua kërkon të më blejë dhe të më shkatërrojë, por unë dal prapë në stilin ‘Bleona’. Quhem Nova, por jam gjithsesi këngëtare në film dhe ‘Monster’ është pjesë e filmit. “Paper Empire” është projekti më i madh Hollywood-ian në të cilin kam marrë pjesë dhe kam një rol shumë të madh, protagonist. Robert Davi, Denise Richards dhe pritet konfirmimi i Wesley Snipes. Besoj se do jetë filmi që do lançojë edhe karrierën time si aktore në Amerikë.

Jeni shprehur se po përgatitni edhe një libër autobiografik për karrierën tuaj. Na thuaj ku je me punimet, dhe çfarë do të presin fansat nga ky libër?

Për librin janë bërë shumë aludime, por mua nuk më intereson fare tregu shqiptar, por ai ndërkombëtar. Libri do të dalë kur unë të jem gati për tregun ndërkombëtar që të tregoj historinë time, si jam bërë ‘Bleona’. Nuk ka lidhje me idiotësitë që lexohen në media të tipit, do dalin të dashurit e Bleonës, sepse siç kam thënë në intervista, të dashurit e mi janë aq sa për t’i numëruar me gishtat e njërës dorë. Theksoj që nuk ka lidhje me këtë, por me marrëdhëniet njerëzore, si jam bërë Bleona që jam sot. Aty tregoj të gjitha vështirësitë, me çfarë jam përballur, me njerëzit që kanë dashur të më pengojnë, ose më kanë ndihmuar. Është libër për marrëdhëniet njerëzore, jo ato seksuale dhe nuk është për tregun shqiptar, por për atë ndërkombëtar. Shqipëria është vetëm 10% në gjithë librin, madje më vjen për të qeshur kur shqiptarët bëhen ‘legjendat e mendjes së tyre’, pasi nuk e ka njeri mendjen as tek ministrat, as tek qeveria në Shqipëri. Pjesë e librit janë sheikë, miliarderë, producentë muzike dhe filmash, sigurisht edhe politikanë shqiptarë, por nuk ka lidhje me marrëdhëniet seksuale.

Bleona Qereti, së shpejti edhe me libër atuobiografik (Foto: Bleona/Instagram)

Prej vitesh jetoni në ShBA, por me ardhje të vazhdueshme në Shqipëri. Ku e gjen Bleona veten më së miri?

Për mua është bërë normale që rrugën “Shqipëri-Amerikë”, ta bëj si “Tiranë-Prishtinë”. Sigurisht Shqipëria është vendi im dhe nuk mund ta mohoj që ndihem shumë mirë këtu, por jeta ime është në Amerikë. Ajo që unë dua të organizoj është që të jem 6 muaj në Shqipëri dhe 6 muaj në Amerikë. Domethënë në ‘avion’.

Tash e sa kohë ju dimë për beqare. A ka diçka të re nga jeta private e Bleonës?

Jam akoma beqare. Përsa kohë të gjejë partnerin e jetës. Unë nuk jam ‘Fast Food’ që të bëj prova dhe nuk më duhet kjo gjë. Unë e di çfarë kërkoj nga jeta dhe për më të tepër kur je kaq specifike sa unë në zgjedhjet që bën, është e vështirë të gjesh personin ideal. Unë nuk bëj kompromise me këtë gjë, ai që do të jetë me mua tani, në këtë kohë do të jetë babai i fëmijëve të mi.

Shquheni si njëra ndër këngëtaret më atraktive dhe seksi të skenës. Si arrini që ta mbani trupin gjithnjë në formë?

Të them të drejtën unë ha sa për ‘7 burra’, por stërvitem shumë dhe kam një dietë rigoroze kur jam pranë një projekti, por nuk e mbaj gjithmonë, sepse tek e fundit jemi të gjithë njerëz normalë. Por duhet falenderuar edhe Oli me Nazmiun për genet.

Bleona: “Jam ende beqare” (Foto: Bleona/Instagram)

Lidhja juaj me prindërit. Sa të suportojnë ata në jetë dhe karrierën tënde?

Tani që po flas jam në Miami duke xhiruar filmin dhe mamin e babin i kam këtu për të më suportuar, bashkë edhe me qenin tim që është pjesë e filmit. Mendoj se pa ta dhe pa suportin e tyre nuk do isha asgjë. 50% e suksesit tim është falë tyre. Pa dashurinë e tyre pa kushte, do të ishte e pamundur t’ia dilja e vetme.

Një ditë e zakonshme e Bleonës, si nis? Si vazhdon dhe si përfundon?

Dita ime e zakonshme nuk ka lidhje me fjalën ‘e zakonshme’, ky është problemi. Dhe dita ime normale nuk ka lidhje me fjalën ‘normale’. Po e lë me kaq!

Bleona: “Ditët e mia nuk janë të zakonshme” (Foto: Jason Merritt/Getty Images/Guliver)

Çka llogaritni suksesin tuaj më të madh në jetë dhe në karrierë?

Suksesi më i madh në jetë dhe në karrierë, nuk ka lidhje me një projekt konkret. Ka lidhje me të gjitha copat e karrierës që janë bërë bashkë dhe e kanë transformuar karrierën time në karrierë internacionale dhe kanë lançuar emrin Bleona në shkallë globale.

Është pikërisht kalimi nga karrierë kombëtare që kam pasur në Shqipëri dhe Kosovë në internacionale. Është ky tranzicion që më ka kthyer në superstar global dhe pikërisht për këtë jam krenare.

Bleona: “Suksesi më i madh në jetë ka lidhje me të gjitha copat e karrierës që janë bërë bashkë dhe e kanë transformuar karrierën time në karrierë internacionale dhe kanë lançuar emrin Bleona në shkallë globale” (Foto: Bleona/Instagram)

Motoja e Bleonës?

Motoja ime është: Bëj mirë se gjen mirë, por njëkohësisht mos u merr me familjen time dhe karrierën time. Për çdo gjë mund të të fal, përveç këtyre dy që përmenda.

Bleona, faleminderit shumë që ishe pjesë e intervistës. Për fund, cili do të ishte mesazhi yt për lexuesit e Telegrafit?

Për të gjithë lexuesit e ‘Telegrafit’: Dua të falenderoj të gjithë fansat për suportin fantastik që më kanë dhënë gjithë këto vite. Dhe një mesazh: Mos u dorëzoni para sfidave të jetës, sepse jeta kështu e ka. Askush nga ata që shikoni që ka një jetë fantastike dhe të suksesshme nëpër ‘instagram’-e nuk e ka arritur pa sakrifica. Punoni vetë, mos prisni nga askush, sepse jeta juaj është përgjegjësi e juaja. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Çfarë janë retë artificiale dhe a shkaktuan përmbytjet e mëdha në Dubai?

Çfarë janë retë artificiale dhe a shkaktuan përmbytjet e mëdha në Dubai?

Azia
Izraeli sulmon Iranin me raketa

Izraeli sulmon Iranin me raketa

Botë
“Vetëm një skuadër në Evropë është më e mirë se Bayern Munich” – legjenda e bavarezëve flet për Tuchel dhe ecurinë e klubit

“Vetëm një skuadër në Evropë është më e mirë se Bayern Munich” – legjenda e bavarezëve flet për Tuchel dhe ecurinë e klubit

Liga e Kampionëve
Gazeta ukrainase: Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën është humbje historike për Serbinë

Gazeta ukrainase: Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën është humbje historike për Serbinë

Lajme
Parandalohet vrasja e Volodymyr Zelenskyt - arrestohet shtetasi polak që bashkëpunonte me rusët

Parandalohet vrasja e Volodymyr Zelenskyt - arrestohet shtetasi polak që bashkëpunonte me rusët

Evropa
Zyrtare: Serie A do të ketë pesë skuadra në Ligën e Kampionëve për sezonin 2024/25

Zyrtare: Serie A do të ketë pesë skuadra në Ligën e Kampionëve për sezonin 2024/25

Liga e Kampionëve
Kalo në kategori