LAJMI I FUNDIT:

Bizneset kërkojnë uljen e tarifave nga bankat komerciale

Bizneset kërkojnë uljen e tarifave nga bankat komerciale

Kamata prej 5 për qind për kthimin e parave të imëta, tarifat në Master dhe Visa Card, POS-ët, rritja e tarifave në regjistrimin e makinave për 26 për qind, mundësia kufizuar e deponimit të parave dhe mungesa e sigurisë gjatë deponimit në ATM, ishin disa nga çështjet për të cilat Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) doli me konferencë për media.

Kryetari i OAK-ut, Skënder Krasniqi njoftoi se Oda e Afarizmit të Kosovës gjatë këtij viti ka pasur dy takime me guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, ku i ka shprehur shqetësimet bizneseve lidhur me këto probleme.


“Kamata prej 5 për qind është një problem që përballen bizneset të cilat kanë punë me para metalike, për kthimin e tyre në kartëmonedha, pra për një mijë euro pësojnë humbje 50 euro deri 80 për qind. Me këtë ballafaqohen më së shumti furrat e bukës dhe marketet, të cilat më së shumti posedojnë para metalike që rrjedhin nga shitja e produkteve të tyre”, deklaroi Krasniqi.

Ai njoftoi mediat se lidhur me këto çështje OAK së bashku sektorin e bukëpjekësve ka bërë një peticion të cilin ia ka dërguar kryeministrit, ministrit të Financave, ministrit të Tregtisë dhe Industrisë dhe ministrit të Zhvillimit Ekonomik me datë 31.12.2018 si dhe ka realizuar dy takime me guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti ku jemi informuar se kjo kamatë është vendosur nga vetë BQK-ja dhe e cila do të shqyrtohet për largim, por që ende nuk kanë ndërmarrë asgjë.

Ai tha se Kosova ka tarifat më të larta të Master dhe Visa Card në rajon, derisa në Serbi tarifat në shkëmbim janë 0.2 për qind deri 0.3 për qind, Kosova për transaksione më pak se 25 euro e ka 0.8 për qind apo 400 për qind më të lart dhe tarifat tjera variojnë nga 1.2 për qind deri 2 për qind apo rritje nga 600 për qind deri në 1,000 për qind më të larta.

“Ndërsa, tarifat e pagesave nga POS-ët në markete po sillen nga 1.3 për qind deri në 2 për qind, kjo po i zhgënjen qytetarët që të bëjnë pagesa me kartela për shkak të tarifave të larta gjatë pagesave dhe rritja e tarifave në regjistrimin e makinave për 26 për qind me arsyetimin e falimentimit të një kompanie sigurimi nuk është arsyetim. Bankat kanë garancionet e veta dhe kjo nuk duhet t’i vihet në barrë biznesit dhe qytetarit”, potencoi Krasniqi.

Qëndrim Kryeziu, pronar i biznesit anëtar në OAK “ISP Broadcast” përmendi disa nga problemet me të cilat po ballafaqohen bizneset siç janë, numri i ulët i bankomatëve dhe numri i degëve të bankave në komuna. Shqetësim tjetër është mungesa e sigurisë gjatë deponimit në ATM, kufizimi i shumës që deponohet dhe mundësia e deponimit të parave “cash” në ATM.

Kryeziu tha se këto po ju shkaktojnë ngarkesë të madhe financiare bizneseve dhe është duke i dëmtuar në punën e përditshme të tyre.

Në fund, Oda e Afarizmit të Kosovës fton edhe njëherë Bankën Qendrore të Kosovës që t’i marrë parasysh këto vërejtje, t’i dal në ndihmë biznesit dhe qytetarëve që do të ndikoj në rritjen e pagesave, rritjen e biznesit dhe zvogëlimin e informalitetit në vend. /Telegrafi/