Bislimi: BE-ja heq shumicën e masave ndaj Kosovës, projekti IPA drejt realizimit

Zëvendës kryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, ka bërë të ditur sot se ka pranuar një letër nga Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Gert Jan Koopman, në të cilën komunikohen vendimet e Komisionit Evropian për heqjen e shumicës së masave ndaj Kosovës.
Në një postim në Facebook, Bislimi ka shkruar: "Gjatë ditës së sotme kam pranuar një letër nga Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Gert Jan Koopman, ku komunikohet se Komisioni ka vendosur për heqjen e shumicës së masave ndaj Kosovës. Bëhet fjalë për projekte të lidhura me programet IPA, në vlerë prej 34.6 milionë euro".
Ai ka shtuar se vazhdimisht është insistuar për heqjen e këtyre masave dhe mirëpret hapin e BE-së: "Mirëpresim hapin e radhës nga ana e BE-së, i cili duhet të vijojë sa më parë me heqje të plotë të tyre. Nuk ka më asnjë arsye që një pjesë e tyre të mbeten në fuqi, sidomos pas transferimit të pushtetit në katër komunat në veri në mënyrë ligjore dhe të qetë".
Sipas Bislimit, vendimi hap rrugë për realizimin e projekteve të shumta zhvillimore në kuadër të programeve IPA, duke përforcuar bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe duke kontribuar në zhvillimin ekonomik dhe institucional të vendit. /Telegrafi/











































