LAJMI I FUNDIT:

Bisedat me Omer Kaleshin…

Bisedat me Omer Kaleshin…

Promovimi i librit “Bisedat me Omer Kaleshin, Shkup – Stamboll – Paris”, ka risjell nga Parisi në Shkup piktorin e njohur me origjinë nga Kërçova. Bashkëbisedime në periudha të ndryshme, monografi të qëmtuara për veprën e tij shkruar nga autorë e eseistë të njohur nga bota, janë përmbledhur së bashku në një libër të shkruar nga akademik Luan Starova.

Promotori i këtij publikimi, Ferid Muhiq, thotë se libri fare mirë mund të quhet edhe një lloj enciklopedie e pikturës dhe teorisë së artit, një studim antropologjik dhe kulturologjik i rangut më të lartë, apo edhe himn i mendimit të lirë.


Në ceremoninë e organizuar të hënën në Akademinë e Shkencave dhe Arteve, është folur për rëndësinë e mesazheve dhe dimensioneve multikulturore të veprave të piktorit dhe prezantimin për Ballkanin ndryshe që i bëri Evropës. Muhiq thotë se përmes emrave të njohur që kanë “mbirë” si në letërsi ashtu edhe në arte figurative, perceptimi për Ballkanin si një oazë periferike kulturore me ngjarje të zymta ka ndryshuar, duke vërtetuar të kundërtën.

“Ballkani duhet të shndërrohet në një mjedis ku kultura arti dhe shkenca të ngrihen në piedestalin e vlerave më të larta të civilizimit. Ky është mesazhi bazë, pasi vetë artisti rrjedh nga një familje multietnike, me nënë maqedonase dhe baba shqiptar. Sipas mesazhit të veprës së tij, multikulturalizmi është një kusht për vetë ekzistencën në Ballkan dhe shndërrimin në një rajon paqe, stabiliteti dhe prosperiteti”, u shpreh kreu i ASHAM-it, Taki Fiti. /koha.mk/