The Emirates planifikon të integrojë pagesat me kriptovaluta në sistemet e saj zyrtare të pagesave, një hap i rëndësishëm drejt digjitalizimit dhe inovacionit në industrinë e aviacionit.

Sipas njoftimeve të fundit nga kompania, ky integrim pritet të hyjë në fuqi gjatë vitit të ardhshëm, duke i dhënë pasagjerëve mundësinë të paguajnë për biletat, shërbimet shtesë dhe blerjet në bord me monedha digjitale si Bitcoin, Ethereum apo të tjera që do të përcaktohen më vonë.


Ky zhvillim tregon angazhimin e Emirates për të qëndruar në pararojë të teknologjisë, duke ofruar më shumë fleksibilitet dhe alternativa moderne për klientët ndërkombëtarë, veçanërisht ata që janë pjesë e ekosistemit të kriptovalutave.

"Partneriteti me Crypto.com për të integruar kriptovalutat në sistemin tonë të pagesave digjitale pasqyron përkushtimin e Emirates për të përmbushur preferencat në ndryshim të klientëve, si dhe për të tërhequr segmentet më të reja dhe më të afta në teknologji që preferojnë monedhat digjitale. Ky hap strategjik është në përputhje me vizionin e Dubait për të qenë në pararojë të inovacionit financiar, duke u ofruar njëkohësisht klientëve tanë më shumë fleksibilitet dhe zgjedhje në mënyrën se si kryejnë transaksionet me Emirates", tha Adnan Kazim, Zëvendëspresident dhe Drejtor Tregtar i Emirates.

Integrimi i kriptomonedhave është gjithashtu pjesë e strategjisë më të gjerë të kompanisë për të adoptuar teknologji të avancuara si blockchain dhe Web3, me qëllim përmirësimin e përvojës së klientit dhe rritjen e efikasitetit operativ.

Ky është një nga hapat më konkretë në industrinë ajrore që tregon se kriptovalutat po bëhen gjithnjë e më shumë pjesë e realitetit të përditshëm ekonomik dhe udhëtimit ndërkombëtar.

Ndryshe, El Salvador është vendi i parë në botë që e shpalli Bitcoin si monedhë zyrtare, krahas dollarit amerikan. /Telegrafi/