LAJMI I FUNDIT:

Bilall Sherifi: Shqipëria dhe Kosova të lobojnë bashkë për të shpëtuar të ardhmen

Bilall Sherifi: Shqipëria dhe Kosova të lobojnë bashkë për të shpëtuar të ardhmen

Sekretari i përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, duke komentuar aktakuzat e ngritura ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. thotë se politika dhe shoqëria shqiptare duhet të jenë të bashkuar “për të shpëtuar të ardhmen e kombit dhe shtetit të Kosovës”.

Në Hagë, sipas Sherifit, gjendet “historia” dhe “e tashmja” e Kosovës. Me këtë ai nënkuptoi qëndrimin për sa i përket luftës çlirimtare dhe faktit se të akuzuar janë shtetarët, të cilët ishin dhe udhëheqës të luftës.

Duke folur për aktakuzat “si tejet të rënda”, Sherifi tha se ato implikojnë edhe Shqipërinë pasi një pjesë e akuzave që rrjedhin nga raporti i Dick Marty-it për “trafik organesh” kanë ndodhur në territorin shqiptar.

“Të jemi të qartë, në këto akuza monstruoze për trafiqe organesh janë përfshirë jo vetëm UÇK-ja por edhe shteti shqiptar, sepse sipas akuzës të gjitha këto krime janë kryer në territorin shqiptar. Tashmë kemi për detyrë të shpëtojmë të ardhmen e kombit [shqiptar] dhe shtetit të Kosovës dhe kjo për mua nuk është e pamundur sepse e drejta dhe e vërteta janë në anën tonë”, u shpreh Sherifi për Euronews Albania.

Sherifi pretendon se “ashtu siç ka pësuar ‘fiasko’ aktakuza themelore e ngritur nga Marty për trafik organesh, ashtu do të përfundojnë edhe këto”.

“Siç tha avokati i zotit Thaçi, ato [aktakuza] janë përmbledhje incidentesh gjatë luftës dhe assesi projekt apo plan të UÇK-së siç pretendon aktakuza, ndaj jam i bindur se e vërteta është krejt ndryshe”, këmbënguli Sherifi duke kërkuar nga parlamentarët shqiptarë që të ketë qëndrim konkret nga Këshilli i Evropës.

Gjatë diskutimit edhe me analistin Gëzim Podgorica, u sqarua se parlamenti shqiptar ka votuar një rezolutë që kërkonte zbardhjen e pretendimeve të Dick Marty-it.

“Kjo duhet marrë si nismë pozitive, nuk ka pse ngarkohet dhe as më shumë të futet në situata dhe këndvështrime politike”, u shpreh Podgorica.

Mirëpo, Sherifi reagoi duke e konsideruar të pakuptimtë dhe politikanët shqiptarë duhet ta kundërshtonin dhe hidhnin poshtë raportin e Marty-it.

Sherifi kërkoi nga shteti shqiptar dhe ai kosovar lobim të gjithanshëm dhe hartim të një plani të përbashkët për të hedhur poshtë planin aktual që po e sjell Kosovën në një krizë të vazhdueshme ekzistenciale.