LAJMI I FUNDIT:

Bie për 72 për qind fitimi i bankave në Shqipëri

Bie për 72 për qind fitimi i bankave në Shqipëri

Fitimi i sistemit bankat ka shënuar një rënie të fortë në tremujorin e parë të 2020-së.

Sipas Bankës së Shqipërisë, e cila i raporton të dhnat sipas standardeve lokale të kontabilitetit, bankat raportuan një fitim prej rreth 1.4 miliardë lekësh në periudhën janar-mars 2020, me një rënie prej 72 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ky është niveli më i ulët i fitimeve që prej 7 vitesh.


Tre janë arsyet që kanë çuar në rënien e fitimeve.

Së pari, ka një rënie të të ardhurave jo nga interesi, ndërsa ato nga interesi ishin pothuajse të pandryshuara. Si rrjedhojë, të ardhurat bruto ranë me rreth 8 për qind, duke zbritur në 12 miliardë lekë, me rënie 1 miliardë lekë).

Së dyti, rritja e shpenzimeve për provizione (+2 miliardë lekë), kryesisht si rrjedhojë e provizionimeve për kreditë e humbura.

Bankierët pohojnë se kreditë që u ristrukturuan duke filluar nga muaji mars nuk përfshihen si problematike për marsin. Por, nëse në qershor nuk paguajnë, atëhere fillon procesi i klasifikimit dhe provigjionimit sipas rregullores për të gjitha kreditë.

Së treti, shpenzimet jo interesi u rritën me 8 për qind apo 643 milionë lekë.

Si rrjedhojë, kjo ka çuar në rënien me fitimeve me 3.6 miliardë lekë ose rreth 72 për qind më pak.

Rënia e fitimeve ka përkeqësuar dhe treguesit e tjerë të rentabilitetit. Krhyeshmëria nga aktivet zbriti në 0.9 për qind në tremujorin e parë 2020, nga 1.5 për qind që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërsa kthimi nga kapitali ishte 7.85 për qind për tremujorin e parë nga 14 për qind të njëjtën periudhë të 2019-së. /Monitor/