Bianca Censori lë pas provokimet dhe shfaqet si njerkë e përkushtuar pranë fëmijëve të Kanye West

Bianca Censori, gruaja 30-vjeçare e Kanye West, u shfaq në një version më të përmbajtur të vetes, teksa shoqëroi tre nga fëmijët e reperit me Kim Kardashian gjatë një daljeje në Los Angeles.
E njohur për stilin e saj provokues, modelja australiane e markës Yeezy zgjodhi këtë herë një veshje tërësisht të zezë dhe modeste, duke e mbuluar trupin e saj me një bluzë me mëngë të gjata, pantallona kapri dhe një paruke me ngjyrë kafe të errët.
E shoqëruar nga Chicago, Saint dhe Psalm, Censori tregoi një anë të re të saj – atë të njerkës. Chicago, ishte në harmoni të plotë me veshjen e njerkës së saj, ndërsa Saint, dhe Psalm, ecnin përpara me dy dado ose mikesha të familjes, shkruan DailyMail.
Ndërkohë, Kanye West dhe vajza e tij më e madhe, North, mungonin në këtë dalje familjare.
Pamja e Biancas vjen në një kohë kur raportimet mediatike thonë se ajo është shpërblyer financiarisht nga Kanye për të ruajtur një imazh të caktuar publik dhe për të theksuar statusin e saj si "gruaja më seksi në botë".
Thuhet se Censori ka fituar mbi 3 milionë dollar (afërsisht 2.750.000 euro) nga marrëveshje që përfshijnë edhe daljen me fustane ekstreme në evente si Grammy.
Një burim i brendshëm ka thënë për The US Sun se ajo i vesh ato veshje, nëse paguhet.
Ndërkohë, Kanye West përballet me akuza serioze ligjore nga ish-asistentja e tij Lauren Pisciotta, e cila e ka paditur për një sërë veprash të rënda, përfshirë trafikimin seksual dhe dhunën.
Avokatja e saj, Lisa Bloom, ka deklaruar se shumë prej pretendimeve janë të mbështetura nga vetë deklaratat publike të West. Ekipi i reperit e ka mohuar kategorikisht padinë dhe është i gatshëm ta sfidojë atë në gjykatë.
Pavarësisht polemikave dhe kritikave të shumta, Ye vazhdon të mbajë një ndikim të fuqishëm në industrinë muzikore dhe planifikon të publikojë albumin e tij të ardhshëm, "Bully", më 26 shtator, përpara një koncerti të madh në Brazil më 29 nëntor. /Telegrafi/






























































