Betimi për Kosovën “pa lejen” e Dacicit

Pas një manifestimi me kuaj, të ashtuquajtur "Vidovdan 2012", Dacic ka thënë se ky nuk është betimi zyrtar i Xhandarmërisë dhe se “ai këtë tekst asnjëherë nuk e ka lejuar, e as nënshkruar”.
Ministri serb ka vlerësuar se ky betim nuk duhet më të përdoret, në mënyrë që të mos ketë dilema se a paraqet teksti metaforë apo kërcënim.
Siç kanë raportuar të premten mediat pjesëtarët e Xhandarmërisë, njësisë speciale të Ministrisë së Brendshme të Serbisë, kanë marrë betim të ri. Pjesa më e madhe e tekstit i është kushtuar Kosovës, pa të cilën, siç thuhet, “nuk ekziston as populli serb dhe Serbia”, transmeton Koha.net.
Sipas B92, Xhandarmëria serbe ka betim të ri, e cila është prezantuar dje, kurse autor i tekstit është Bratislav Dikic, njeriu i parë i Xhandarmërisë.
Në Xhandarmëri kanë pohuar se njësia e MPB-së sivjet kremton Vidovdanin si kremte të saj, dhe kjo është arsyeja që Kosova gjendet në fokus të betimit.
“Bëhet fjalë thjesht për metaforë. Kemi dashur që në frymën e Vidovdanit të kthehemi në histori dhe t’i kujtojmë trimat e vjetër të Kosovës dhe në përgjithësi atë ditë si ditën e trimave kosovarë dhe në bazë të kësaj kemi thënë se do të fitojmë apo vdesim”, tha zëdhënësja e Xhandarmërisë, Stanica Puzovic.
Ajo theksoi se betimi dhe simbolika e ndërlidhjes së Kosovës nuk kanë kurrfarë lidhje me ndërrimin e pushtetit në Serbi.
“Kosova ka qenë gjithnjë e rëndësishme për këtë njësi, që nga formimi i saj deri sot”, shtoi ajo.
Pjesëtarët e Xhandarmërisë të enjten kanë shënuar 152 vjetorin e formimit. /Telegrafi/



















































