LAJMI I FUNDIT:

Beteja për Donbasin, “prova e vërtetë e kësaj lufte”

Beteja për Donbasin, “prova e vërtetë e kësaj lufte”
Liderët e rajonit të Donbasit i kanë lutur banorët që të evakuohen në zonat më të sigurta në perëndim të Ukrainës (foto: Ronaldo Schemidt/AFP/Getty Images)

Nga: Henry Foy (Bkrusel), John Paul Rathbone (Londër), Roman Olearchyk (Kramatorsk) dhe Felicia Schwartz (Nju-Jork) / Financial Times
Përktheu: Agron Shala /Telegrafi

Nisi natën, me granatimet e rënda që rrafshuan blloqet trekatëshe të banimit, që goditën shtëpinë e pleqve në qytet dhe që lanë kratere katër metra të thella në rrugë. Pastaj, forcat e blinduara u futën brenda.


Dhjetëra tanke ruse, armë lëvizëse dhe transportues të blinduar të personelit, prej tri drejtimeve përparuan për në Kremina, teksa banorët përpiqeshin të iknin. Pas përpjekjeve të fundjavës së kaluar për ta mbajtur qytetin, trupat ukrainase u tërhoqën të hënën e kaluar.

Qyteti i vogël me më pak se 20 mijë banorë në Ukrainën lindore, nuk është fitore e spikatur për ushtrinë ruse e cila dy muaj më parë nisi një pushtim që synonte ta merrte Kievin e që brenda pak ditësh ta rrëzonte qeverinë properëndimore.

Por, marrja e suksesshme e qytetit që shtrihet në një kryqëzim vendimtar midis autostradës kryesore veri-jug, paraqet jo vetëm arritjen e parë të strategjisë së re të Rusisë për t’i fokusuar forcat e saj në lindjen e shkatërruar nga lufta në Ukrainë, por edhe ekzekutimin e më shumë formave tradicionale të luftës së rëndë – pas disa javëve me strategji të dështuara dhe me gabime taktike.

“Kremina është nën kontrollin e orkëve. Kanë hyrë në qytet”, tha të martën Serhiy Haidai, guvernator i rajonit të Luhanskut ku ndodhet Kremina, duke i përdorur termat përbuzës të ukrainasve për përshkrimin e forcave ruse. “Për secilën prej togave tona, ata i dërguan 40 njësi të blinduara”.

Në atë që ka të ngjarë të jetë sulm brutal dhe i përgjakshëm në lindje të Ukrainës, qëllimi i Kremlinit është të sigurojë gjithë Luhanskun dhe Donetskun fqinj. Së bashku njihen si Donbas, një rajon i madh të cilin afërsisht me një të tretën tashmë e kontrollojnë separatistët pro-Kremlinit – që nga kryengritja e nxitur nga Rusia, pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014.

Në ballafaqimin e Rusisë qëndrojnë trupat e Operacionit të Forcave të Përbashkëta (JFO), disa nga ushtarët më të trajnuar dhe më të fortë të Ukrainës në beteja, të cilët janë gërmuar në pozicione mbrojtëse për pjesën më të madhe të tetë vjetëve të fundit. Rreth 40 mijë trupa janë vendosur atje përpara se konflikti të shpërthente në shkurt – rreth një e katërta e ushtrisë ukrainase – dhe që atëherë janë përforcuar.

“Do të shohim se Rusia do ta nisë një fushatë më të fuqishme. I kam dëgjuar disa njerëz që thonë se mund të jetë si Lufta e Dytë Botërore”, thotë një zyrtar i lartë i NATO-s. “Por, mund të jetë më shumë si Lufta e Parë Botërore, duke e pasur parasysh mbrojtjen që kanë ndërtuar – llogoret, bunkerët – që nga viti 2014.”

Vendimi i Rusisë për ta zhvendosur pjesën më të madhe të trupave të saj në luftimet në lindje të vendit – prej 190 mijë ushtarëve të përfshirë në pushtimin e Ukrainës – vjen pas strategjisë fillestare të një sulmi rrufe mbi kryeqytetin dhe me sulmet e pakoordinuara në jug e verilindje të vendit, që nuk arritën sukses të madh.

Trupat ukrainase që janë më mirë të armatosura, më të trajnuara dhe më të vendosura për të rezistuar nga sa priste Moska, i ndaluan për shtatë javë sulmet në Kiev dhe i penguan sulmet ruse që t’i merrnin qytetet kyçe si Kharkivi në verilindje dhe Mikolaiivi në bregdetin jugor, duke i shkaktuar forcës pushtuese humbjet shumë më të mëdha sesa i kishte parashikuar.

Ushtria ruse s’i pranon këto dështime dhe pretendon se qasja e re ishte pjesë e planit. Të premten, një komandant i lartë rus tha se trupat kanë “vendosur kontroll total të Donbasit dhe të Ukrainës jugore”.

Kjo do të “na lejojë ta krijojmë një korridor tokësor për në Krime, që do të ndikojë në pjesët jetike të ekonomisë ukrainase”, ka thënë Rustam Minnekayev, komandant në detyrë i qarkut qendror ushtarak të Rusisë.

Mënyra se si do të shpaloset beteja për Donbasin, ka të ngjarë të përcaktojë rrjedhën e gjithë pushtimit dhe fatin e ekzistencës së Ukrainës – pas luftës.

Nëse Rusia është në gjendje të nxjerr përfitime të mëdha në veri dhe në jug të Donbasit, mund të ndërpresë JFO-në nga përforcimet ushtarake perëndimore dhe potencialisht të rrethojë dhe të bllokojë një pjesë të konsiderueshme të ushtrisë ukrainase – rezultat ky që do të minonte përpjekjet e Kievit për t’u mbrojtur nga një sulm i ri i mundshëm rus në Ukrainën perëndimore.

Donbasi i kontrolluar nga Rusia, bashkë me pushtimin nga Moska të vijës bregdetare lindore të Ukrainës dhe të një urë tokësore për në Krime, do t’ia jepte presidentit rus Vladimir Putin fitoren e prekshme të pushtimit i tij si dhe një atu të fuqishme në çdo negociatë paqeje me Volodymyr Zelenskyn – homologun e tij ukrainas.

Sukseset ushtarake të Ukrainës, në dy muajt e parë të luftës, erdhën nga përdorimi i taktikave të stilit gueril dhe nga përdorimi inovativ i armëve me rreze të shkurtër – antitank dhe antiajror – të dhuruara nga Perëndimi. Por, kjo qasje ka më pak gjasa të funksionojë në betejat më vendimtare që shumica i pret në Donbas.

“Testi i vërtetë i kësaj lufte, dhe në të vërtetë i aftësisë së vërtetë të Ukrainës për t’i bërë ballë sulmit rus, po vjen tani kur Moska më në fund e rregulloi organizimin dhe i rreshtoi forcat e saj në lindje, ashtu siç janë trajnuar për të luftuar”, thotë një zyrtar i lartë i mbrojtjes në Perëndim.

“Duhet një linjë solide e këmbësorisë së blinduar në vendet më të rrezikshme dhe prapa tyre e sigurt e gjithë artileria, raketat dhe çfarëdo tjetër që ata kërkojnë me këmbëngulje, për mbrojtjen e Ukrainës”, shton zyrtari. “Kjo perspektivë është shumë, shumë më ndryshe nga ajo me çka ukrainasit janë ballafaquar deri tash”.

Në përgatitjet për sulmin në Ukrainën juglindore dhe përgjatë bregut të Detit të Zi, Rusia më 18 prill e nisi një proces të granatimeve intensive dhe të sulmeve me raketa. Pentagoni i ShBA-së e ka përshkruar si operacion formësimi për ta penguar rrjedhën e armëve perëndimore dhe mbështetjen tjetër logjistike për ushtrinë ukrainase – veçanërisht të karburantit.

Forcat ukrainase në vijën e frontit të Donbasit, që shtrihet rreth 300 milje nga veriu në jug, i përshkruajnë sulmet e pamëshirshme nga obusët rusë, nga mortajat dhe nga raketat e shumta, si dhe nga helikopterët dhe nga aeroplanët me fluturim të ulët.

Në një pikë kontrolli në veri të Avdivkës, në jug të Kramatorskit, një roje e policisë ushtarake tha se granatimet e qytetit janë intensive. “Bëhen shumë të zhurmshme”, tha ai. “Gjithandej po hedhin bomba fosfori. Qielli po ndizet”,

Në të njëjtën kohë, trupat ukrainase – të përgatitura për sulm – kanë thënë se ishin të sigurt se do ta zmbrapsnin çdo avancim rus, duke treguar për armatimin e tyre të përmirësuar dhe tetë vjetët e gjata të stacionimit në atë vend, që tani është përcaktuar të jetë vijë e frontit.

Në përgatitje për ofensivë të re, fortifikimet e reja mbrojtëse po ndërtohen në gjithë Donbasin. Gjatë një vizite të fundit në rajon, një korrespondent i FT-së dëshmoi se si ushtria ukrainase po transportonte armë të reja, furnizime dhe karburant.

Gjeneralmajori Eduard Moskalyov, komandant i forcave të Ukrainës në Donbas, tha se Rusia i kishte vendosur “njësitë më të përgatitura luftarake”. “E kuptojmë shumë mirë se sa të rëndësishme, në aspektin strategjik, janë rajonet Donetsk dhe Luhansk për planet e armikut”, ka thënë Moskalyov.

Por, ai shtoi se forcat ukrainase “tashmë për tetë vjet po e mbronin” rajonin kundër “sulmeve të armikut rus ndaj pavarësisë dhe lirisë sonë”.

Objektivat kryesore të Rusisë janë Slovianski dhe Kramatorski, qytete afër linjave ukrainase që mbajnë çelësin e kontrollit të Donbasit, thonë zyrtarët e mbrojtjes perëndimore dhe të inteligjencës. Moska synon t’i arrijë ato përmes tri akseve sulmuese: në jug nga Iziumi, në veri nga Donetsku dhe në perëndim nga Severodonetski – rruga që i çoi trupat në Kremina.

“Besojmë se duan të mblidhen në Donbas, nga veriu dhe nga jugu”, thotë një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane. “Po i shohim tashmë përpjekjet për ta bërë këtë nga veriu, në mënyrë që ata të mund t’i dëmtojnë atje forcat ukrainase dhe përfundimisht t’i shkatërrojnë ose t’i detyrojnë të dorëzohen”.

Forcat ukrainase, sipas zyrtarëve perëndimorë të mbrojtjes, potencialisht janë të tejkaluara me tre me një nga rusët, ndërkohë që kanë mungesë të municioneve dhe të armëve tjera.

Dilema më e madhe mbetet nëse forcat e armatosura të Rusisë do ta koordinojnë me sukses sulmin e tyre në një operacion të kombinuar të armëve që i sinkronizon sulmet tokësore, ajrore dhe të artilerisë. Në javët e para të pushtimit, Rusia sulmoi prej shumë drejtimeve, me komandantët e katër qarqeve të saj ushtarake që vepronin në mënyrë autonome. Mungesa e koordinimit e pengoi efektivitetin e sulmeve.

Emërimi – në mesin e prillit – i gjeneralit Alexander Dvornikov, si komandant i vetëm pushtues në Ukrainë, paraqet një përpjekje të vonuar të Moskës për t’i korrigjuar gabimet.

“Komanda dhe kontrolli i rusëve është bërë më efektiv”, thotë një zyrtar perëndimor. “[Por] ajo që ata ende nuk po e bëjnë është që të funksionojnë … si forcë vërtet e manovrueshme”, shton ai, duke e përmendur përdorimin e vazhdueshëm për transport të rrugëve të ekspozuara, duke i lënë automjetet të pambrojtura ndaj pritave.

Rajoni i Donbasit kufizohet me Rusinë e cila duhet t’i mbështesë linjat më të mira të furnizimit dhe të komunikimit, duke shmangur fatkeqësinë që ishte pranë Kievit kur kolona 60 kilometra e gjatë me tanke, me transportues trupash dhe me pajisje ushtarake, mbeti e bllokuar për ditë të tëra pasi i mbaroi karburanti, ushqimi dhe udhëheqja adekuate.

Afërsia e fushave ajrore ruse, si Millerovo ku janë aeroplanë luftarakë Su-30 dhe MiG-29, dhe Morozovski që është baza e Regjimentit të Bombarduesve 559, do t’ua japë trupave në terren një mbështetje shumë më të mirë ajrore sesa kishin në zonat tjera të Ukrainës.

Megjithatë, Donbasi ende është operacion kompleks, duke mbuluar rreth 52 mijë kilometra katrorë, pothuajse të njëjtën madhësi si Sllovakia. Shiu i dendur i një dimri të lagësht e ka kthyer gjithashtu terrenin e sheshtë në një moçal me baltë, për të cilin zyrtarët e mbrojtjes perëndimore dhe analistët thonë se do ta kufizojë aftësinë manovruese të forcave të blinduara ruse.

“Ushtria ruse i ka dy opsione kryesore”, thotë Samuel Cranny-Evans, analist ushtarak në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara të Londrës. “Ata mund të përpiqen ta marrin gjithë zonën me shtytje të përbashkët – por kjo ndërmarrje është tejet ambicioze. Përndryshe, mund të marrin copa të vogla nga vija e frontit ukrainas, duke i rrethuar trupat në zonat strategjike, duke i prerë ato me luftë elektronike, duke përdorur artileri për t’i ndaluar përforcimet dhe më pas duke i shtrydhur si në kazan”, shton Cranny-Evans.

Kjo do ta ndiqte modelin e sulmit të Rusisë në qytetin e rrethuar të Mariupolit, ku trupat u ndanë në zona të ndryshme dhe ku e shtrënguan fort secilën zonë në mënyrë që, siç tha Putin të enjten, “një mizë nuk mund të hyjë”.

Në të njëjtën mënyrë të tmerrshme, procesi i ngjashëm ndodhi në Donbas në vitin 2014, kur separatistët e mbështetur nga Rusia i rrethuan luftëtarët ukrainas në qytetin e Ilovaiskut – dhe më pas, pasi ata u dorëzuan, refuzuan marrëveshjen që do t’i linte të tërhiqeshin të padëmtuar përgjatë korridoreve humanitare. Më vonë, të mbijetuarit e përshkruan këtë si “masakër”.

Perspektiva është beteja rraskapitëse dhe e stërzgjatur me trupat nga të dyja anët që tashmë janë të lodhura. Vlerësimet ndryshojnë shumë, por zyrtarët e mbrojtjes perëndimore besojnë se Rusia ka rreth 76 grupe taktike të batalioneve, ku njësitë kryesore të ushtrisë përfshijnë nga 800 trupa plus armaturë dhe artileri tashmë të vendosur në Donbas – me 22 të tjera që kanë marrë veten jashtë Ukrainës. Rënia e Mariupolit gjithashtu pritet të çlirojë 5-10 mijë trupa ruse.

Javët e fundit, Moska i ka shtuar artilerinë, helikopterët dhe mjetet e reja të komandimin dhe të kontrollit në lindje, kryesisht të zhvendosura nga sulmi i dështuar në Kiev, thotë zyrtari i lartë i NATO-s, duke shtuar se rezultati ka të ngjarë të jetë “luftimi që është shumë intensiv … sa i përket dhunës”.

Nëse të gjitha këto asete shtesë futen në fushën e betejës, forcat ruse mund të arrijnë deri në 80 mijë trupa – megjithëse raportohet se morali dhe dëshira e tyre për të luftuar është shumë i ulët.

“[Rusia] ka shumë sasi … ata do t’i godasin ukrainasit me artileri, raketa, mortaja dhe bomba”, thotë David Petraeus, gjeneral amerikan me katër yje dhe ish-drejtor i CIA-s, tashmë në pension. “Ukrainasit padyshim që duhet të lëshojnë terren, por nuk mendoj se rusët do të arrijnë përparim të vërtetë. Thjesht, nuk kam parë asnjë dëshmi se rusët veprimin e tyre e kanë unik”, shton Petraeus. “Tërësia nuk është më e madhe sesa shuma e pjesëve, sepse nuk po i përdorin pjesët në mënyrë plotësuese”.

Në përgatitje për sulmin, Zelensky vazhdimisht ka kërkuar më shumë ndihmë – në krye të listës së dëshirës së tij janë artileria me rreze të gjatë dhe dronët e blinduar që mund të futen thellë pas vijës së frontit, për ta shkatërruar artilerinë e rëndë të Rusisë.

Mes aleatëve perëndimorë që përpiqen ta furnizojnë Ukrainën me armatim më të rëndë, Republika Çeke ka siguruar tanket T-72 dhe Britania e Madhe po dërgon raketat e blinduara Stormer.

Një paketë e re e ndihmës amerikane – e shpallur të enjten – përfshin 72 armë 155 milimetërshe Howitzer dhe 144 mijë fishekë artilerie që – përveç 18 Howitzer-ëve të njoftuar më parë – ofron artileri të mjaftueshme për t’i pajisur pesë batalione ukrainase, sipas një zyrtari të lartë të mbrojtjes amerikane.

Por, thonë zyrtarët e mbrojtjes, ukrainasve u duhet ende më shumë ndihmë teksa konflikti po zvarritet.

Zelensky vazhdimisht ka përsëritur se fundi i konfliktit nuk mund të përfshijë humbje të territorit ukrainas. Në fakt, qëllimet e Rusisë kanë evoluar gjatë luftimeve, ashtu si edhe përkufizimi i Moskës se çfarë do të thotë të fitosh.

Putini mund të dëshirojë një lloj fitoreje më 9 maj, kur – një paradë ushtarake vjetore në Sheshin e Kuq e përkujton humbjen e Gjermanisë naziste në vitin 1945. “Nuk jam shumë besimtar i fetishizimit të datave”, thotë Michael Kofman, analisti kryesor për Rusinë në qendrën CNA. “Por, është e vërtetë që ushtria ruse duhet të dëshmojë një lloj suksesi”.

Në një skenar të rastit më të mirë për Ukrainën, trupat e saj mund t’i frenojnë apo edhe t’i zmbrapsin rusët. Në një skenar të rastit më të keq, e kundërta është e vërtetë – me Rusinë që madje përpiqet të rinovojë sulmin në Kiev ose në portin kyç të Odesës.

“Të shkatërrosh Ukrainën dhe ta bësh Perëndimin të duket i dobët, me qëllimin përfundimtar për të forcuar kontrollin e regjimit në pushtet, është ajo që për momentin e drejton politikën e Kremlinit; me Putinin si fituesin dhe të vetmin person që mund ta shpëtojë Rusinë”, thotë një oficer i inteligjencës evropiane.

Sigurisht, Moska nuk jep asnjë shenjë se do të heq dorë nga “operacioni special”, siç e ka përshkruar bashkë me bekimin e Patriarkut Kirill, udhëheqësin e Kishës Ortodokse Ruse, gjë që ka marrë aspekte të një lufte të shenjtë, të një kryqëzate për të rivendosur lavdinë dhe shtetësinë ruse.

“Edhe pse fokusi operacional i Rusisë është zhvendosur në lindje, ende e shohim se objektivi përfundimtar i Rusisë mbetet i njëjtë, që është përdorimi i forcës ushtarake për ta detyruar Ukrainën të braktisë orientimin euroatlantik dhe si rrjedhojë të ripohojë dominimin rajonal [të Moskës]”, thotë zyrtari i lartë i NATO-s.

Teksa ushtarët rusë të martën e kaluar e varën flamurin trengjyrësh të vendit në derën e selisë administrative të Kreminës, vendasit bënë foto të aeroplanëve luftarakë që gjëmonin lart dhe në mediat sociale i shpërndanin pamjet e dëmtimit të shtëpive të tyre nga sulmet e artilerisë.

Haidai, guvernatori rajonal, u bëri të gjithëve thirrje që të iknin. “Shpëtojeni jetën që të mos bëheni fuqi e lirë punëtore apo të mobilizoheni në trupat pushtuese. Ata që nuk pajtohen, rusët në vend i vrasin”, tha në një lutje të postuar në llogarinë e tij personale në Telegram. “Shkoni në rajone të sigurta të Ukrainës … Autobusët janë duke pritur”. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë

"Veç je zhdukur prej jetës time" - Blero dhe Afrona tregojnë mes lotësh se përse nuk funksionoi martesa e tyre

Magazina
Njihuni me gjermanin 17-vjeç që jeton në trena, përdor biletën vjetore prej 10 mijë eurove për të kaluar nga njëri tren në tjetrin

Njihuni me gjermanin 17-vjeç që jeton në trena, përdor biletën vjetore prej 10 mijë eurove për të kaluar nga njëri tren në tjetrin

Interesante
Bisedimet kanë nisur, Jose Mourinho befason të gjithë me skuadrën e tij të re

Bisedimet kanë nisur, Jose Mourinho befason të gjithë me skuadrën e tij të re

Ndërkombëtare
Erjolën e hedhin në mes të natës në pishinë, i ekspozohen pjesët intime

Erjolën e hedhin në mes të natës në pishinë, i ekspozohen pjesët intime

Magazina
Gjendet trupi i pajetë i 9-vjeçares, fati ende i paditur për nënën dhe dy fëmijët e tjerë që dyshohet se janë vetëmbytur në Shkodër

Gjendet trupi i pajetë i 9-vjeçares, fati ende i paditur për nënën dhe dy fëmijët e tjerë që dyshohet se janë vetëmbytur në Shkodër

Lajme
Bayerni konfirmon lëndimin e yllit të skuadrës, mungon ndaj Real Madridit

Bayerni konfirmon lëndimin e yllit të skuadrës, mungon ndaj Real Madridit

Bundesliga
Kalo në kategori