Reperja Megan Thee Stallion ka konfirmuar se i ka dhënë fund lidhjes me basketbollistin Klay Thompson. Fituesja e çmimit Grammy (31 vjeçe) e bëri të ditur vendimin të shtunën, në një deklaratë për PEOPLE, vetëm disa muaj pasi romanca e tyre u bë publike.

“Kam vendosur ta ndërpres lidhjen me Klay”, u shpreh Megan në deklaratë. “Besimi, besnikëria dhe respekti për mua janë baza e çdo marrëdhënieje dhe për këto vlera nuk negocioj. Kur ato cenohen, nuk ka një rrugë të vërtetë përpara. Këtë periudhë do ta përdor për t’u përqendruar te vetja dhe për të vazhduar përpara me qetësi dhe qartësi”.


Deklarata e saj erdhi pak pasi, më herët gjatë së njëjtës ditë, ajo publikoi një Instastory të ashpër, ku duket se e akuzonte Thompson për tradhti dhe shkruante se i nevojitej një “pushim” nga gjithçka.

Foto/Screenshot: Profimedia/Instagram

“Tradhti, bëmë sikur ishim familje para të tuëve… dhe ti u frikësove”, shkroi ajo në sfond të zi. “Të kam mbështetur gjatë gjithë humorit dhe sjelljes tënde të TMERRSHME ndaj meje gjatë sezonit të basketbollit, e tani papritmas nuk e di nëse mund të jesh ‘monogam’???? Pas kësaj më duhet një pushim i VËRTETË… përshëndetje të gjithëve”.

Edhe pse Megan nuk e përmendi Thompson me emër në postim, çifti e kishte shfaqur publikisht afërsinë, ndërsa reperja në muajt e fundit kishte ndarë shpesh foto romantike me yllin e NBA-së. Madje, për ditëlindjen e saj në shkurt, Thompson i kishte dhuruar një Bentley ngjyrë blu të hapur, dhe festën e kishin shoqëruar edhe me një pushim tropikal.

Në janar, Megan kishte folur për PEOPLE për lidhjen e saj, duke thënë se Thompson kishte hyrë në jetën e saj në momentin kur nuk e priste aspak.

“Nuk do t’i këshilloja askujt të futet në një lidhje vetëm sepse të tjerët janë në lidhje, apo sepse mendon se ‘duhet’”, ishte shprehur ajo atëherë. “Sinqerisht, as unë vetë nuk e dija që do ta gjeja veten në një lidhje”.

Foto: Megan Thee Stallion/InstaStory

Ajo kishte shtuar se me të ishte ndier jashtëzakonisht rehat: “Është një nga herët e para që thjesht ndihem shumë rehat. Jam rehat, zemër!”, kishte thënë ajo me të qeshurën e saj karakteristike.

Megan dhe Thompson u lidhën për herë të parë nga mediat verën e kaluar, ndërsa debutimin në tapetin e kuq e bënë më 16 korrik në New York, në ceremoninë inauguruese të fondacionit të saj Pete & Thomas. Në atë event, Megan e kishte quajtur Thompson “personin më të mrekullueshëm që ka njohur ndonjëherë”.

Para lidhjes me Thompson, Megan ishte përfolur për një romancë me basketbollistin e Chicago Bulls, Torrey Craig, pasi në gusht 2024 kishin publikuar një video së bashku në TikTok. Më herët, mediat e kishin lidhur në mënyrë romantike edhe me futbollistin belg Romelu Lukaku (2023), si dhe me Pardison “Pardi” Fontaine (2021). /Telegrafi/