Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha përmes në një deklarate për mediat ku paralajmëroi se në datë 16 do të mbahet një protestë në bulevardin Zogu i Parë.

Protesta do të mbahet në të njëjtën kohë kur në Tiranë pritet të mbahet Samiti i Liderëve të Evropës.


“Libri i zi i këtyre zgjedhjeve shkruhet në datën 16 në orën 17:00 në Bulevardin Zogu i Parë, për të sensibilizuar opinionin publik botëror mbi krimet monstruoze të përbindëshit elektoral Edi Rama, që nuk zbaton asnjë rregull. Protesta do të jetë paqësore. Ne garantojmë se nuk do ketë probleme që do cenojnë në shkallën më të vogël sigurinë e atyre që vijnë por duam që ata të mësojnë se ka qenë i ftuar nga një narko-diktator”, tha Berisha.

Në deklaratën e tij Berisha pretendoi se votat u grabitën dhe se krimet elektorale do të evidentohen me shumë përgjegjësi nga Partia Demokratike dhe koalicioni Aleanca për Shqipërinë Madhështore.

“Drejtuesit më të lartë të shërbimit informativ, u morën javë më parë me të gjithë regjistrat e rrjetit agjenturor të sigurimit të shtetit dhe aktivizuan atë për karrigen e Edi Ramës, duke shkelur ligje e çdo gjë. Ne po evidentojmë me shumë përgjegjësi krimin elektoral. Ky krim është po kaq monstruoz në diasporë. Ju e morët vesh se si në kutinë e Beratit për diasporën dilte PS 99,6%, pra kemi të bëjmë me Korenë e Veriut. Kjo është e vërteta!”.

Ai refuzoi kategorikisht të pranonte rezultatet e zgjedhjeve, duke i cilësuar ato si “më të manipuluarat në historinë e pluralizmit në Shqipëri.”

Sipas Berishës, blerja e votave, përdorimi i patronazhistëve, ndërhyrja e grupeve kriminale dhe angazhimi i bandave kanë tjetërsuar vullnetin e zgjedhësve.

“Zgjedhjet e 11 majit janë zgjedhje të grabitura, të plaçkitura dhe të dhunuara. Asnjëherë më parë, banditët nuk kanë pasur më shumë përfaqësues në parlament sesa këtë herë,” deklaroi Berisha.

Berisha akuzoi gjithashtu qeverinë për blerjen e votave në mënyrë masive.

“Zgjedhjet e 11 Majit u karakterizuan nga blerja publike më masive në tërë historinë e zgjedhjeve në Shqipëri. Zarfi me 100 euro, i dërguar në mes të fushatës elektorale dhe amnistia prej 200 milionë euro gjoba dhe kamata nga viti 2015 deri në vitin 2025, është blerja publike më e fuqishme që ka ndodhur në historinë e vendit. /euronews.al/