LAJMI I FUNDIT:

Berisha: Kompania e LaCivita-s nuk merret me lobime, por vetëm me çështjen e zgjedhjeve

Berisha: Kompania e LaCivita-s nuk merret me lobime, por vetëm me çështjen e zgjedhjeve

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në një dalje sot për mediet nga selia blu deklaroi se kompania e Chris LaCivita-s nuk ka asnjë tagër apo angazhim për qëllime lobimi, por bashkëpunimi është vetëm çështje elektorale.

I pyetur për një lobim të mundshëm të kompanisë së Chris LaCivita pranë administratës Trump për heqjen e “non grata”-s, Berisha tha se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë.

“Kompania e kontraktuar për zgjedhje nuk ka asnjë funksion dhe lidhje si kompani lobimi, sepse në vendin e vet, këto veprimtari janë me kuadër të ndryshëm ligjor dhe bëtë mirë që ma rikujtuat. Por unë, në qoftë se shkon tek konferenca e parë që kam bërë pas asaj në ‘Rogner’, kam sqaruar se kjo kompani nuk ka asnjë tagër apo angazhim për qëllime lobimi”, tha Berisha.


Berisha po ashtu bëri me dije se Partia Demokratike do të bëjë një audit të plotë për fondet e SHBA-së që janë përdorur në Shqipëri.

“Auditet e para në SHBA faktojnë se paratë e taksapaguesve amerikanë u përdorën për të pasuruar elitat e korruptuara të ekstremit të majtë në vendet e tjera të botës”, tha Berisha.

“Garantoj qytetarët shqiptarë se një audit i plotë me ndihmën e ekspertëve më të mirë shqiptarë dhe amerikanë do bëhet lidhur me të gjitha këto abuzime dhe se përgjegjësit do marrin ndëshkimin më të merituar ligjor”, tha Berisha.

Berisha po ashtu i bëri thirrje FBI-së “të ndërmarrë një hetim me përparësi në Shqipëri për të nxjerrë të gjitha shpërdorimet e mëdha në nivelin më të lartë qeveritar të Shqipërisë me paratë e taksapaguesve amerikanë”.