Bashkimi Evropian planifikon të fusë një klasë të re të veturave të vogla elektrike me etiketën “Made in Europe” (prodhuar në Evropë) për të ndihmuar prodhuesit vendas në përballjen me konkurrencën e fuqishme kineze.

Këto automjete do të gëzonin privilegje të veçanta, duke përfshirë të drejtën për parkim të favorizuar, rregulla më të lehta dhe subvencione më të mëdha.


Kjo kategori e re, plotësisht elektrike, është pjesë e një pakete më të gjerë masash që synojnë të lehtësojnë presionin mbi industrinë evropiane të automobilave, e cila po përballet me një vërshim të automjeteve elektrike kineze me çmime të ulëta, me tarifa amerikane dhe me rënie të kërkesës. Automjetet që plotësojnë kriteret – të prodhuara në Evropë dhe nën një peshë të caktuar – do të kishin qasje në vende të rezervuara parkimi dhe në infrastrukturë të posaçme karikimi.

Ato gjithashtu do të përjashtoheshin për dhjetë vjet nga rregulloret e reja të ardhshme, si rregullat e sigurisë dhe standardet e emetimeve Euro 7, që nisin më 2026. Me këtë, Komisioni shpreson të mbajë çmimet më të ulëta, pasi ndryshimet e shpeshta të standardeve rrisin kostot e prodhimit.

Pesha maksimale ende po diskutohet, por sipas burimeve të informuara, ka gjasa të mos kalojë 1.5 tonë.

Në Komisionin Evropian, kjo kategori e automjeteve ka marrë nofkën jozyrtare “Sejournette”, sipas komisionerit francez të industrisë, Stéphane Séjourné, i cili mbikëqyr propozimin.

Segmenti i veturave të vogla është një nga fushat ku prodhuesit evropianë vazhdojnë të kenë avantazh ndaj konkurrentëve kinezë, të cilët kryesisht janë fokusuar te modelet më të mëdha elektrike dhe hibridet plug-in.

Prodhues si Stellantis dhe Renault prej kohësh kanë kërkuar krijimin e një kategorie të re, më të përballueshme, për automjetet e vogla me rregulla më të lehta, që do të mundësonte prodhimin fitimprurës të veturave kompakte elektrike. Në të njëjtën kohë, ata lobojnë që definicioni i kësaj kategorie të jetë mjaftueshëm i gjerë për të përfshirë edhe modelet ekzistuese të vogla, si Renault Twingo i ri, Citroën ë-C3, apo Volkswagen Golf.

Propozimet për këtë klasë të re automjetesh, të frymëzuara pjesërisht nga veturat japoneze “Kei”, vijnë paralelisht me rishikimin e vendimit për ndalimin e shitjes së motorëve me djegie të brendshme nga viti 2035.

Ky ligj, i propozuar për herë të parë në vitin 2021, konsiderohet një element kyç i objektivave klimatikë të BE-së, por është vënë nën presion të madh nga industria e automobilave dhe politikanët e djathtë, të cilët pretendojnë se e shtyn sektori shumë shpejt drejt elektrifikimit të plotë. Në Komision po zhvillohen debate të ashpra para publikimit të rishikimit më 16 dhjetor.

Ndër opsionet që po diskutohen është mundësia që hibridet plug-in dhe automjetet me rritës autonomie (range extender) të lejohen të shiten edhe për pesë vjet shtesë. Një opsion tjetër është ulja e synimit të reduktimit të emetimeve në 90 për qind deri në vitin 2035, gjë që do të linte një hapësirë të vogël për shitje të mëtejshme të motorëve me djegie të brendshme.

“Kjo ende nuk është e përfunduar”, tha një zyrtar. Komisioni po shqyrton gjithashtu përjashtime për biokarburantet dhe e-karburantet “neutralë në karbon”, por vendimi përfundimtar ende nuk është marrë.

Disa zyrtarë kundërshtojnë përfshirjen e hibridëve plug-in, duke paralajmëruar se Kina është tashmë shumë përpara konkurrentëve evropianë në këtë teknologji. Zyrtarët e Komisionit Evropian kanë refuzuar të komentojnë mbi propozimet e ardhshme. /Telegrafi/