LAJMI I FUNDIT:

BDI konfirmon platformën e përbashkët të partive shqiptare

BDI konfirmon platformën e përbashkët të partive shqiptare

Kryesia e Bashkimit Demokratik per Integrim në mbledhjen e sotme në selinë e partisë në Tetovë ka miratuar tekstin e Platformës së përbashkët të partive parlamentare shqiptare, njofton Telegrafi Maqedoni.
Më poshtë e keni të plotë marrëveshjen e nënshkruar nga partitë:

“Ne, perfaqësuesit e partive politike shqiptare në Maqedoni: “Bashkimi Demokratik për Integrim”, “Koalicioni Rilindje me Besë” dhe “Aleanca për Shqiptarët”. Duke respektuar vullnetin e lirë dhe demokratik të votuesve shqiptarë të shprehur në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Republikën e Maqedonisë, më 11 dhjetor 2016; Në frymën e Marrëveshjes të Ohrit, të demokracisë konsensuale dhe nevojës për të përmbushur detyrimet normative që rrjedhin nga ndryshimet kushtetuese; Duke riafirmuar përcaktimet programore dhe strategjike të përbashkëta të shqiptarëve dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë; Të angazhuar për prosperitetin dhe stabilitetin afat-gjatë të Maqedonisë; Të udhëhequr nga përkushtimi i përbashkët për paqe, stabilitet, siguri, bashkëjetesë ndëretnike, në frymën e barazisë dhe dinjitetit, sipas konventave europiane dhe ndërkombëtare, harmoni fetare dhe bashkëpunim në vend dhe rajon; Të përcaktuar, pa asnjë alternativë tjetër, për integrim në NATO dhe në Bashkimin Europian; Biem dakord për përkrahje të ndërsjellë të agjendës së përbashkët politike që parashikon realizimin e objektivave që vijojnë, në mandatin e ardhshëm qeverisës dhe/ose në çdo mandat tjetër pasues”:


– Arritja e barazisë së plotë në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit dhe Kushtetutën.

– Zbatimi i përpiktë i parimit të multi-etnicitetit në Kushtetutën e RM, ku shqiptarët njihen si popullësi shtet-formuese.
– Mbështetje e çdo iniciative ligjore dhe kushtetuese që përforcon barazinë etnike për popullësinë shqiptare.

– Arritja e barazisë së plotë gjuhësore, përdorimi i gjuhës shqipe në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe garantimi i përdorimit të saj si e drejtë themelore dhe kushtetuese. Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë duhet të përcaktojë se “gjuha maqedonase me alfabetin cirilik dhe gjuha shqipe me alfabetin e saj janë gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë”.

– Debat gjithëpërfshirës mbi flamurin, himnin dhe stemën shtetëtore të Republikës së Maqedonisë në mënyrë që simbolet shtetërore të reflektojnë multietnicitetin shoqëror dhe barazinë etnike.

– Miratimi i një Rezolute në Parlamentin e Maqedonisë me të cilën dënohet gjenocidi ndaj popullit shqiptar në Maqedoni në periudhën 1912 – 1956.

– Arritja e barazisë ekonomike dhe e mirëqenies shoqërore, sidomos nëpërmjet zhvillimit të barabartë rajonal

– Krijimi i një mekanizmi të ri, në formën e një Komisioni Shtetëror për Financimin e Komunave, për një vendimarrje më të drejtë për grantet qeveritare në përfitim të komunave.

– Krijimi i një Ministrie për Sistem Politik dhe Marredhenie midis Komuniteve, si organ përgjegjës për respektimin e të drejtave të komuniteteve dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror në zonat e defavorizuara.

– Realizimi i përfaqësimit të drejtë në organet e sigurisë, ushtrisë, inteligjencës dhe të drejtësisë.

– Realizimi i përfaqësimit të drejtë në të gjitha nivelet e qeverisjes qendrore si dhe në agjensitë publike ose ndërmarrjet me aksione publike.

– Përforcimi i sundimit të së drejtës, si parakusht për ecurinë e procesit të integrimit euro-atlantik

– Zbatimi i planit të reformave në përputhje me Marrëveshjen e Shkupit, Rekomandimet e Pribese, rekomandimet urgjente te Komisionit Evropian si dhe Rekomandimet nga Dialogu i Larte Paraqases me BE.

– Përkrahje e punës së paanshme të Prokurorisë Speciale, pa paragjykime etnike dhe politike.

– Zbardhja e plotë e çështjeve dhe proceseve gjyqësore si “Sopoti”, “Brodeci”, “Monstra” dhe “Kumanova” nëpërmjet një komisioni hetimor ose një trupe të pavarur ndërkombëtare.

– Krijimi i një fryme mirëbesimi në funksion të marrëdhënieve të mira ndëretnike si element thelbësor për sabilitetin politik të vendit

– Marrja e masave afirmative për të siguruar financimin e institucioneve kulturore shqiptare në nivel vendor dhe qendror.

– Krijimi i një institucioni qëndror për avancimin e gjuhëve të komuniteteve, i cili do të sigurojë përgatitjen e përkthyesve, redaktuesve dhe lektorëve.

– Zgjidhja e çështjes së emrit, në përputhje me vlerat europiane dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare.

– Miratimi i një Rezolute të Perbashkët dhe Detyruese në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë me të cilën Qeveria e Republikës së Maqedonisë angazhohet në mënyre aktive në drejtim të zgjidhjes se çështjes së emrit.

– Përfshirje e shqiptarëve në grupin e punës për bisedime të drejtpërdrejta me Greqinë.

– Marrëdhënie të mira me fqinjët

– Përfshirje e shqiptarëve në grupin e punës për bisedime të drejtpërdrejta me Bullgarinë.

– Bashkëpunim me Kosovën dhe Shqipërinë për menaxhimin e integruar të kufijve.

– Hapje e pikave të reja kufitare.

– Integrim i shpejtë në NATO dhe në Bashkimin Europian.

– Përmbushja e pikave të mësiperme do të zhbllokojë rrugëtimin e Maqedonisë drejt integrimit të plote në NATO dhe hapjen e bisedimeve për anetarësim në Bashkimin Evropian.

– Përmbushja e këtyre objektivave do të mbikqyret nëpërmjet krijimit të Tryezës së Partive Shqiptare Parlamentare.

– Tryeza e Partive Shqiptare Parlamentare do të funksionojë sipas parimit të rotacionit dhe do të shërbejë si platformë për harmonizimin e aksionit politik dhe komunikimin transparent me partnerët ndërkombëtarë të Maqedonisë, duke kërkuar veçanërisht mbështetjen e Bashkimit Europian dhe institucioneve ndërkombëtare.

– Tryeza do të përcaktojë afatet për realizimin e objektivave të sipërpërmëndura, në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë./Telegrafi/

Këtë marrëveshje do ta nënshkruajnë partitë shqiptare në Maqedoni (Dokument)
Lexo po ashtu Këtë marrëveshje do ta nënshkruajnë partitë shqiptare në Maqedoni (Dokument)