Gjysma e parë e takimit në Commerzbank Arena përfundoi pa gola, ndërsa për këtë ishin fajtorë vetë mysafirët, të cilët patën raste shënimi. Shansin më të mirë e pati David Alaba, i cili dështoi të shënonte nga pika e bardhë, pasi Mueller nxori një penalti.

Goli i bavarezëve erdhi në pjesën e dytë. Philipp Lahm dërgoi një pasim drejt Bastian Schweinsteiger dhe mesfushori gjerman shënoi golin e epërsisë (52’).


bastian1

Shqiptari me pasaportë zvicerane, Xherdan Shaqiri, luajti nga minuta e parë në këtë ndeshje, në vend të të lënduarit Toni Kroos. Ai pati një rast të shkëlqyer në pjesën e parë, ndërsa në të dytën e futi topin në rrjet, por goli u anulua për pozitë jashtë loje.

Bayern Munichu ka 20 pikë diferencë nga përcjellësi i parë, Borussia Dortmund, kur kanë mbetur edhe gjashtë javë për t’u zhvilluar (18 pikë). Ky është titulli i 23-të i Bundesligas për kampionin e ri gjerman.

xherdan

Këtë sezon bavarezët janë në rrugë të mirë për ta fituar tripletën, pasi luajnë në gjysmëfinale të DFB Pokal kundër Wolfsburgut dhe kanë dy gola epërsi ndaj Juventusit nga takimi i parë çerekfinal i Ligës së Kampionëve. /Telegrafi/