Bayerni ka në listë gjashtë lojtarë të Bundesligës, në mesin e tyre edhe ylli i Kosovës

Për shumë vite, filozofia e Bayern Munich ka qenë të marrë lojtarët më të mirë të Bundesligës.
Këtë verë, gjiganti bavarez ka identifikuar gjashtë objektiva potencialë brenda kampionatit gjerman për t'i transferuar sezonin e ardhshëm dhe mes tyre është edhe ylli i Kosovës, Fisnik Asllani.
Bavarezët pritet që disa nga ta t'i transferojnë për sezonin e ardhshëm në Allianz Arena.
Nico Schlotterbeck (25, Borussia Dortmund)
Mbrojtësi i Gjermanisë ende nuk ka rinovuar kontratën me Dortmundin, e vlefshme deri më 2027. Bayern shihet si opsioni i preferuar në rast largimi. Megjithatë, transferimi i tij varet nga e ardhmja e Dayot Upamecanos – nëse francezi rinovon, Bayern nuk do të lëvizë për Schlotterbeck.
Castello Lukeba (22, RB Leipzig)
Nëse as Upamecano nuk rinovon, e as Schlotterbeck nuk transferohet, Lukeba shfaqet si alternativa e radhës. Leipzig ka një klauzolë prej 80 milionë eurosh për mbrojtësin, por mund të pranojë më pak. Sipas Sky.ch, Lukeba dëshiron transferimin te Bayerni dhe këtë e ka komunikuar përmes agjentëve të tij.

Nathaniel Brown (22, Eintracht Frankfurt)
Frankfurti kërkon të paktën 60 milionë euro për Brown. Edhe pse Bayerni e pëlqen lojtarin, vështirë se do të paguante kaq shumë, sidomos me Alphonso Davies që po rikuperohet dhe Tom Bischof që po përshtatet në krahun e majtë.

Alejandro Grimaldo (30, Bayer Leverkusen)
Një tjetër emër në listë është Grimaldo, një nga më të mirët e Bundesligës këtë sezon. Aftësia e tij për të luajtur edhe në mesfushë dhe goditjet standarde e bëjnë shumë tërheqës. Por vetë spanjolli duket më i prirur drejt një rikthimi në La Liga. Kontrata e tij me Leverkusenin vlen deri në 2027.

Said El Mala (19, Koln)
Një nga talentet më të mëdha të Bundesligës, El Mala vlerësohet mes 50 dhe 60 milionë eurosh. Edhe këtu Bayern përballet me konkurrencën e klubeve të mëdha evropiane. Ai ka kontratë me Kolnin deri në vitin 2030.

Fisnik Asllani (23, TSG Hoffenheim)
Ylli i Kosovës është në listën e ngushtë të Bayernit për repartin ofensiv. Me gjasat e pakta që Bayerni të nënshkruajë përfundimisht me Nicolas Jackson, Asllani po shihet si zëvendësues i mundshëm për Harry Kane.
Ai mund të largohet këtë verë përmes një klauzole prej 30 milionë eurosh. Drejtori sportiv Christoph Freund e vlerësoi kohët e fundit te Sky: “Mendoj se është një lojtar i mirë, interesant dhe i ri.”

Bayern do të ketë një verë shumë të ngarkuar, ndërsa lista e emrave tregon se klubi po mendon si për të tashmen, ashtu edhe për të ardhmen. /Telegrafi/



















































