Bayern Munich ka shënuar fitore me rezultat 3-2 në shtëpi ndaj St.Paulit në kuadër të javës së 27-të në elitën e futbollit gjerman. 

Bavarezët kaluan në epërsi në minutën e 17-të përmes Harry Kane, i cili e çoi topin në rrjetë për 1-0 pas asistimit nga Michael Olise. 


Nuk vonoi shumë dhe erdhi reagimi i mysafirëve të cilët ia dolën të barazojnë shifrat në 1-1 përmes Elias Saad i cili realizoi në minutën e 27-të. 

Bayerni e riktheu sërish avantazhin në pjesën e dytë, këtë herë përmes Leroy Sane (53’) i cili shënoi një gol tejet të bukur për rezultatin 2-1. 

Në minutën e 69-të vendasit patën një tjetër rast të mirë shënimi, por goditja e Jamal Musialas u ndal nga traversa. 

Për t’i shuar përfundimisht shpresat e St.Paulit, në skenë doli sërish Sane, i cili në minutën e 71-të shënoi nga afërsia për 3-1 pas asistimit të Kane. 

Deri në fishkëllimën e fundit të gjyqtarit, mysafirët e gjetën rrjetën edhe një herë tjetër përmes Lars Ritzka (93') i cili realizoi për rezultatin përfundimtar 3-2.

Kështu Bayerni u rikthye tek fitoret pas barazimit në udhëtim me rezultat 1-1 ndaj Union Berlinit xhiron e kaluar. 

Pas javës së 27-të, Bayern vazhdon si lider në Bundesliga me 65 pikë të grumbulluara, gjashtë më shumë se vendi i dytë Bayer Leverkusen që ka 59 sosh./Telegrafi/

Standings provided by Sofascore
telegrafi sport app