Basketbollisti amerikan Jarred Dwayne Shaw është gjendur në telashe serioze me ligjin në Indonezi, pasi policia tha se u arrestua me dyshimin për tentativë kontrabande droge.

Konkretisht, Shaw u arrestua më 7 maj në apartamentin e tij pranë Xhakartës, dhe në Indonezi ligjet janë të ashpra kur bëhet fjalë për kontrabandën e drogës, kështu që ai tani po përballet me një dënim drakonian - burgim të përjetshëm ose edhe dënim me vdekje në rastin më të keq.


Basketbollisti nga Dallasi luan në Indonezi që nga viti 2022, por karriera e tij mund të ndërpritet tragjikisht nëse akuzat rezultojnë të vërteta.

Gjatë një kontrolli në apartamentin e tij, u gjetën 132 pako të vogla me kanabis dhe ky informacion u konfirmua nga shefi i policisë së aeroportit, Ronald Sipayung.

Ai theksoi se i gjithë rasti u iniciua kur dogana e aeroportit kapi një pako të dyshimtë nga Tailanda që i ishte drejtuar posaçërisht Shaw.

Pako dyshohet se përmbante deri në 869 gramë të një substance të paligjshme, dhe sipas informacionit të rrjedhur, Shaw planifikonte t'i ndante ato me shokët e tij të ekipit.

Në Indonezi, ligjet kur bëhet fjalë për narkotikët janë jashtëzakonisht të rrepta, kështu që kontrabanda e drogës në atë vend mbart dënime ekstreme, nga burgim i përjetshëm deri në dënim me vdekje, i cili është fati që tani varet mbi kokën e basketbollistit amerikan. /Telegrafi/

telegrafi sport app