Bashkimi përballet me krizë lëndimesh pas tre disfatave rresht

Pas disfatës 71:64 ndaj Trepçës në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, në kuadër të xhiros së dhjetë të elitës së basketbollit kosovar, Bashkimi ka bërë të ditur gjendjen e vështirë të ekipit për shkak të lëndimeve të shumta.
Kjo humbje shënoi disfatën e tretë rresht për skuadrën.
Klubi përballoi nënkampionen pa dy lojtarët amerikanë të lënduar, ndërsa gjatë ndeshjes u dëmtua edhe Valon Bunjaku.
“Jemi duke kaluar një periudhë të vështirë pas lëndimit të katër lojtarëve tanë, Valon Bunjaku, Isaiah Cousins, Jeremiah Bailey dhe Besim Bytyqi, një situatë që padyshim ka ndikuar në rezultatet e ekipit tonë në tri ndeshjet e fundit. Megjithatë, sfida të tilla na focojnë edhe më shumë”, ka deklaruar Bashkimi.
Klubi ka njoftuar gjithashtu se në ditët e ardhshme do të bëhen zyrtare disa transferime të reja, për të mbushur boshllëkun e krijuar nga lojtarët e lënduar.
Pas dhjetë ndeshjeve, Prizrenasit kanë arritur shtatë fitore dhe kanë pësuar tri humbje. /Telegrafi/


















































