Bashkimi ndahet me trajnerin Muarem Muaremi

Pas barazimit në kryeqytet, klubi zigjelbër nga Kumanova ka shkarkuar trajnerin dhe ndihmësin e tij, njofton Telegrafi.
Klubi i Bashkimit të Kumanovës ka njoftuar ndërprerjen e bashkëpunimit me trajnerin Muarem Muaremi dhe ndihmësin e tij Enes Qaili.
Lajmi është bërë i ditur në faqen zyrtare të klubit, ku drejtuesit kanë falënderuar dyshen për kontributin dhe punën e tyre në krye të ekipit.
Vendimi erdhi vetëm pak orë pas barazimit që Bashkimi e regjistroi në Shkup ndaj Makedonija Gjorçe Petrovit, në kuadër të javës së njëmbëdhjetë të Ligës së Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut.
Në fundjavë, skuadra e Bashkimit do të jetë mysafire e Arsimit në Gostivar, në ndeshjen e radhës të kampionatit.
Java e 11-të vazhdon sot me dy ndeshje të tjera interesante: Shkupi përballet me Strugën në Strugë, ndërsa Pelisteri pret Tikveshin. Të premten mbyllet xhiroja me duelet Brera – Shkëndija dhe Vardari – Sileksi. /Telegrafi/


















































