Bashkimi i Kumanovës nuk ndalet, një tjetër afrim para rifillimit të sezonit

FC Bashkimi nga Kumanova ka zyrtarizuar përforcimin e radhës në këtë afat kalimtar, duke prezantuar Nickel Ronaldo Orr si lojtarin më të ri të skuadrës. Futbollisti vjen nga ekipi qipriot PAEEK dhe pritet të jetë një shtesë e rëndësishme për repartet e ekipit, njofton Telegrafi.
Nickel Ronaldo Orr përfaqëson profilin e një lojtari modern, me vizion të mirë loje, fizik të fortë dhe shpejtësi, elemente që i japin skuadrës më shumë balancë, siguri dhe energji në fushë. Në klub besojnë se ai do të përshtatet shpejt me filozofinë e lojës dhe do të japë kontribut të vlefshëm në realizimin e objektivave sezonale. Ky transferim është një tjetër dëshmi e ambicieve të FC Bashkimi për të ndërtuar një ekip konkurrues.
Ditë më parë, klubi nga Kumanova prezantoi edhe përforcimet Azer Koziç dhe Luis Ribeiro, ky i fundit i ardhur nga radhët e FC Shkupi, ndërsa afrimi i parë në këtë afat kalimtar ishte Foday Trawally, i cili u transferua nga AP Brera.
Skuadra kumanovare tani po vijon përgatitjet në Medulin të Kroacisë ku nga katër ndeshje miqësore të parën e fitoi sot ndaj FK Rudar Pljevlja me rezultat 3:0, ndërsa orarin e miqësoreve e vazhdon të martën kundër FK Radnik Bijeljina, të mërkurën ndaj FK Iskra Bariç dhe në fund luan të shtunën ndaj NK Hrvace.
FC Bashkimi ndeshjen e parë në vazhdim të sezonit do ta zhvillojë më 7 shkurt, kur në Kratovë do të përballet me skuadrën e Sileksit. /Telegrafi/





















































