LAJMI I FUNDIT:

Bashkësia Islame dhe Kisha Katolike në Kosovë mbështesin mësimin mbi fetë

Bashkësia Islame dhe Kisha Katolike në Kosovë mbështesin mësimin mbi fetë

Debati për futjen e mësimit mbi fetë në shkollat kosovare ka përfshirë edhe opinionin në Kosovë, pas një ideje që dha kryeministri shqiptar Edi Rama për të sistemuar edhe lëndën mbi fetë në sistemin arsimor të Shqipërisë.

Në Kosovë ka mendime të kundërta lidhur me këtë çështje. Ato që e mbështesin këtë ide janë Bashkësia Islame e Kosovës dhe Kisha Katolike, por jo edhe Kisha Protestante në Kosovë.


Kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Sabri Bajgora, i ka thënë transmetuesit publik se BIK-u është i pajtimit që kjo ide mund të ndihmojë në shmangien e ekstremizmit fetar. Sipas tij, këtë lëndë në shkollat kosovare do të duhej ta ligjëronin teologët.

Bajgora ndan mendimin se nëse ideja do të gjente zbatim, atëherë do të duhej që të mësohej mbi të gjitha fetë pa dallim.

Mbështetje kësaj ideje i ka dhënë edhe Don Lush Gjergji nga Kisha Katolike e Kosovës.

Ndërsa, njohësi i sistemi arsimor në Kosovë, Dukagjin Pupovci, ka thënë se në këtë rast fenë do të duhej ta ligjëronin vetë mësimdhënësit, që kanë një dozë neutraliteti dhe që këtë gjë e bëjnë nga një këndvështrim shkencor.

Bazuar në Ligjin Parauniversitar të Kosovës, mësimi fetar në Kosovë është i ndaluar, por jo edhe mësimi mbi fetë.