LAJMI I FUNDIT:

Basha i reagon Ramës për Samitin në Ohër: Dështimi nuk mund të zëvendësohet nga propaganda

Basha i reagon Ramës për Samitin në Ohër: Dështimi nuk mund të zëvendësohet nga propaganda

Lideri i demokratëve Lulzim Basha ka sulmuar kryeministrin Edi Rama, i cili ndodhet këtë të dielë në Ohër, nga ku ka folur  për çështjen e shumë-debatuar të ‘mini-Schengenit’.

Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, Basha ka thënë se nuk është propaganda e Ramës zgjidhja për të nxjerrë nga kriza e thellë Shqipërinë.


Kreu i demokratëve thekson se Rama s’mund ta fshehë dështimin me qeverisjen e vendit duke bërë propagandë.

“Lëvizja e lirë e njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit është thelbi i integrimit europian dhe Europës së bashkuar. Parakushte për lëvizjen e lirë janë demokracia, sundimi i ligjit dhe garantimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Dështimi me integrimin europian nuk mund të zëvendësohet nga propaganda anti-europiane e një autokrati të korruptuar, shkaktar i prapambetjes ekonomike dhe varfërimit të qytetarëve shqiptarë. Ka ardhur koha që Shqipëria të nxjerrë në dritë potencialin e saj të vërtetë!’, ka shkruar Basha.

Edhe ish- kryeministri Sali Berisha, ka komentuar “Shengenin Ballkanik” dhe Samitin rajonal të Ohrit, ku po merr pjesë kryeministri Edi Rama, homologu i tij i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, e presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

Përmes një shkrimi në Facebook, Berisha ka thënë se ky takim është një sukses për Vuçiq, i cili me ndihmën e Ramës po kërkon të krijojë Serbinë e Madhe. /Telegrafi/