LAJMI I FUNDIT:

Bardhezi!

Bardhezi!

Një prej problemeve që më së shumti më ka penguar në Kosovë (e që njëkohësisht ka qenë edhe motiv për punë), është nevoja e dikujt për të të bindur për ta parë çdo çështje ashtu siç ai/ajo e sheh. Për me mbajt anë – “vullnetarisht”! Këtë e quaj sjellje bardhezi.

Në Kosovë është e natyrshme të të identifikojnë ose si pro-amerikan ose si anti-amerikan, si feminist ose si seksist, se je i devotshëm ndaj Zotit ose i haramit, se je patriot ose tradhtar, e je me UÇK-në ose me dreqin… e mos të flasim për partitë politikë ku gjithçka është: ose me neve ose me… arushën!


Në shikim të parë, kjo sjellje nuk duket aq e dëmshme. Tekefundit, demokraci jemi dhe secili e ka të drejtën ta japë mendimin e vet e të tentojë t’i bind të tjerët për pikëpamjet që ka. Mirëpo, kjo mendësi targetohet dhe qëllimisht manipulohet qe 20 vjet nga grupet politike.

Unë jam me UÇK-në, jam pro-amerikan, jam haram, jam patriot dhe jam me arushën. Mirëpo, nuk jam i verbër mos me pa s UÇK-ja nëpërkëmbet edhe nga ata që më së shumti “punojnë” e flasin në emër të saj; e kuptoj se disa nga ata që thirren si pro-amerikanë janë edhe të dëmshëm; shoh disa që i thonë vetes “patriot”, tek e vjedhin Kosovën çdo ditë; se në emër të Zotit shkaktohen edhe vuajtje të tmerrshme…

Për këto 20 vjet, Kosova ka përparuar në shumë fusha, mirëpo ende kemi probleme të mëdha. P.sh. me rrymën, me shkollat e “zbukuruara” dhe reformat universitare nga të cilat i diplomuari del me 10 gabime drejtshkrimore në nëntë fjalë që shkruan; me sistemin shëndetësor e spitalet ku shkojmë kur sëmuremi e mbushemi mllef me këtë “shtet të poshtër”, për çka na shkon mendja edhe ta lëshojmë vendin…

Është koha të dalim nga kjo mendësi bardhezi. Herën tjetër kur dikush nuk pajtohet me ty, në vend të reagimit “e ke shumë gabim…”, provo të mendosh se a do të ketë rëndësi ajo çështje pas 2-3 viteve? Pyet se cila është arsyeja kryesore e mospajtimit. Provo të gjesh diçka të përbashkët e nga aty të ndërtosh mirëkuptim për çështjet tjera (nëse nuk mund të pajtohen) dhe, më e rëndësishmja, provo të flasësh me rend e me zë normal.

Secili prej neve e shikojmë botën përmes syve dhe mendjes tonë dhe është e rëndësishme që çdo pikëpamje e secilit të shprehet pa frikë. Llojllojshmëria, si ajo kulturore, fetare, etnike e ideologjike është vlerë e jo mallkim. Secili prej nesh e kemi të drejtën të shprehemi dhe të mbajmë anë për gjithçka, mirëpo, sa herë që një mendim pro et contra bëhet “viral” dhe ne detyrohemi të jemi kemi qëndrime bardhezi, , dikush në prapavijë është duke e bërë qeshjen e djallit!