Barcelona po tregohet e kujdesshme sa i përket rinovimit të mundshëm të kontratës me Robert Lewandowskin, me drejtuesit e klubit që nuk kanë ndërmend të nxitojnë për momentin në marrjen e një vendimi për të ardhmen e sulmuesit polak.

Sipas raportimeve, menaxhmenti i klubit katalunas po analizon me shumë vëmendje rreziqet që lidhen me moshën e lojtarit, pasi Lewandowski pritet të mbushë 38 vjeç gjatë sezonit të ardhshëm.


Ky faktor ka bërë që Barcelona të adoptojë një qasje më ndryshe, duke shmangur hapjen e menjëhershme të negociatave për një kontratë të re.

Dyshime shtesë kanë lindur edhe për shkak të gjendjes fizike të sulmuesit gjatë këtij sezoni. Lewandowski ka munguar në dy raste për shkak të lëndimeve, çka ka shtuar shqetësimet brenda stafit teknik dhe hierarkisë së klubit lidhur me aftësinë e tij për të ruajtur një nivel të lartë performance përgjatë gjithë sezonit.

Në këtë kontekst, stafi i udhëhequr nga Hansi Flick dhe drejtuesit e Barcelonës po vazhdojnë ta monitorojnë nga afër situatën, përpara se të marrin një vendim përfundimtar lidhur me të ardhmen e sulmuesit veteran në “Camp Nou”.

Lewa në anën tjetër kërkohet me ngulm në MLS, si dhe në Arabinë Saudite./Telegrafi

telegrafi sport app