Barcelona i ndërpret kontratën një lojtari të harruar për të lehtësuar regjistrimet në La Liga
Barcelona ka ndërprerë kontratën e mesfushorit Oriol Romeu, në përpjekje për të zgjidhur vështirësitë me regjistrimin e lojtarëve të rinj në La Liga.
Kampioni në fuqi i Spanjës e konfirmoi lajmin përmes një deklarate zyrtare, duke bërë të ditur se Romeu, i cili ishte rikthyer te blaugranasit në vitin 2023, pasi më herët kishte dalë nga akademia e klubit në vitin 2010, ka ndërprerë kontratën me marrëveshje të dyanshme.
Ky vendim vjen në një moment kur, sipas raportimeve nga Cope, klubi po përpiqet të regjistrojë në vend të tij lojtarët, Wojciech Szczesny, Gerard Martin dhe Roony Bardghji.
Romeu zhvilloi 39 paraqitje me Barcelonën, përfshirë 29 ndeshje në La Liga.
Barcelona është përballur me vështirësi në regjistrimin e transferimeve të verës, përfshirë Marcus Rashford dhe Joan Garcia, për shkak të kufizimeve që vijnë nga rregulloret e La Ligës për 'fair play-in financiar'.
Sipas rregullit të ashtuquajtur 1:1, klubet spanjolle mund të shpenzojnë vetëm aq sa lejon bilanci i të ardhurave dhe shpenzimeve të tyre, me një kufi që llogaritet bazuar në të ardhurat e pritshme.
Barcelona ka shpenzuar më shumë për blerjen e lojtarëve dhe për pagat gjatë sezonit 2024/2025 sesa ka gjeneruar në të ardhura, sezon në të cilin fituan si La Ligan ashtu edhe Kupën e Mbretit.
Megjithatë, pavarësisht vështirësive me regjistrimet, skuadra e Hansi Flick ka nisur fuqishëm sezonin 2025/2026.
Ata janë të pamposhtur në tri ndeshjet e para të La Ligas, me fitore ndaj Mallorcas dhe Levantes, dhe barazim ndaj Rayo Vallecano./Telegrafi/































