Barcelona ka shënuar një fitore të rëndësishme në kuadër të xhiros së shtatë të fazës së ligës në Ligën e Kampionëve, duke mposhtur Slavia Pragën si mysafir me rezultat 4-2, fitore që e mban skuadrën katalanase në garë për kualifikim direkt në mesin e tetë ekipeve më të mira të kompeticionit.

Ndeshja nisi më mirë për vendasit, të cilët kaluan në epërsi në minutën e 10-të me golin e Vasil Kusej, pas një aksioni të shpejtë dhe organizimi të mirë ofensiv për 1-0.


Barcelona reagoi shpejt dhe përmbysi rezultatin me dy gola radhazi të Fermín López, fillimisht në minutën e 34-të dhe më pas në të 42-ën, duke treguar efikasitet në fazën sulmuese.

Megjithatë, gëzimi i katalanasve u zbeh pak para pushimit, kur një goditje nga këndi përfundoi në autogol, me Robert Lewandowskin që pa topin të përfundojë në rrjetën e skuadrës së tij, duke barazuar shifrat në 2-2.

Pjesa e dytë ishte e mbushur me ritëm, raste dhe polemika. Barcelona pati një gol të anuluar për pozicion jashtë loje pas rishikimit me VAR, ndërsa portieri Joan García u dallua me disa pritje vendimtare.

Goli i epërsisë erdhi në minutën e 63-të, kur Dani Olmo shfrytëzoi një top të kthyer dhe realizoi një goditje të bukur nga jashtë zonës për 3-2.

Dominimi i Barcelonës u konkretizua në minutën e 71-të, kur Robert Lewandowski u shlye për autogolin duke realizuar golin e katërt pas një aksioni të shkëlqyer ekipor, duke vulosur fitoren 4-2.

Me këtë sukses, Barcelona ngjitet në kuotën e 13 pikëve dhe mban vendin e nëntë në renditje, duke mbetur plotësisht në lojë për kualifikim direkt në Top 8 të fazës së ligës. Në anën tjetër, Slavia Praga mbetet me vetëm 3 pikë dhe vazhdon të jetë në fund të tabelës, me shanset për vazhdim shumë të vogla. /Telegrafi/

Standings provided by Sofascore
telegrafi sport app