Barcelona me hap fals në garë për titull, ndalet nga Celta Vigo

Barcelona ka barazuar 2-2 në udhëtim te Celta Vigo në kuadër të javës së 32-të në La Liga.
Pas vetëm 20 minutash lojë, Luis Suarez shënoi golin e parë të skuadrës katalunase me një asistim të Lionel Messit.
Pjesa e parë përfundoi me këtë gol të uruguaianit, edhe pse rastet e mira nga të dyja anët nuk munguan.

Në 45 minutëshin e dytë u realizuan edhe dy gola të tjerë, ndërsa Suarez ishte sërish në rolin e lojtarit vendimtar.
Por, vendasit arritën fillimisht t’i barazonin shifrat me anë të Fedor Smolov, që shënoi në minutën e 50-të, me një shërbim mjaftë të mirë nga Okay Yokuslu.

Messi ishte edhe një herë në rolin e asistuesit, e që uruguaiani (67’) nuk gaboi sërish, duke arritur të shmangej nga disa mbrojtës kundërshtarë, për t’i kthyer kështu Barcelonës epërsinë.
Deri në fund të takimit, Celta Vigo e befasoi edhe njëherë Barcelonën, duke i barazuar shifrat në 2-2 me anë të Iago Aspas që shënoi në minutën e 88-të.

Pas javës së 32-të, Barcelona është rikthyer në krye të tabelës me 69 pikë, një më shumë se Real Madridi që ka një ndeshje më pak.
Në xhiron e 33-të, kampionin në fuqi të ligës spanjolle e pret një sfidë mjaftë e vështirë, pasi përballë do ta ketë Atletico Madridin e Diego Simeones. /Telegrafi/








































