Ballkani kampion vjeshtor, mbetet edhe një ndeshje – interesant për kreun dhe mbijetesën

Janë mbyllur të gjitha ndeshjet e javës së 18-të në Superligën e Kosovës, ku nuk munguan golat dhe përballjet e forta.
Prishtina mori një fitore të rëndësishme, të parën në epokën e Afrim Tovërlanit, duke mposhtur Drenicën me rikthim, me rezultat 2-1.
Ramiz Bytyqi dhe Mario Ilievski i shënuan golat për Prishtinën, ndërsa Ronaldo Chacon shënoi për Drenicën.
Ferizaj po ashtu mori një fitore shumë të rëndësishme, përballë Llapit të Tahir Batatinës, dhe atë në kohën shtesë, me rezultat 2-1.
Betim Haxhimusa ishte heroi i Ferizajt me dy gola, ndërsa për Llapin shënoi Muhamet Hyseni.
Sot Dukagjini dhe Ballkani zhvilluan një ndeshje të fortë, por që u mbyll pa gola.
Malisheva, në anën tjetër, e ndali Dritën në barazim 1-1, ku Jorgo Pëllumbi shënoi fillimisht për gjilanasit, por Xhemal Ibishi barazoi në fund.
Ndeshja me më shumë gola ishte ajo mes Gjilanit dhe Prishtinës së Re, ku vendasit shënuan fitore me rezultat 3-2.
Edi Basa shënoi dy herë, ndërsa një gol e shtoi Senad Jarović. Mysafirët reaguan me dy gola, të Gomes dhe Astrit Berishës, por nuk ia dolën të marrin pikë.

Edhe një ndeshje zhvillohet, por Ballkani është kampion vjeshtor
Për ta mbyllur të gjithë stinorin vjeshtor, do të zhvillohet edhe një ndeshje, ajo mes Dritës dhe Prishtinës, e cila ishte shtyrë disa javë më parë.
Ballkani mbetet lider me 33 pikë dhe vetëm një fitore e Prishtinës (30 pikë) do të mund ta zinte në renditje, por jo ta kalonte, pasi edhe me golaverazh dhe në ndeshjet e ndërsjellta, falë goldallimit, suharekasit janë më mirë.
Prishtina me 30 pikë e ka të sigurt pozitën e dytë, ndërsa në vendin e tretë është Dukagjini me 29 pikë. Malisheva ka 27 pikë në pozitën e katërt.
Pozitat pesë dhe gjashtë i ndajnë Drita dhe Gjilani, që kanë nga 26 pikë.
Skuadrat që janë në zonën e mbijetesës janë katër, me Llapin që është në pozitë më të mirë, atë të shtatën me 21 pikë. Drenica ka 20 pikë si e teta, ndërsa Ferizaj me 19 pikë është në vendin e nëntë. Fundin e renditjes e mbyll Prishtina e Re, që ka tubuar deri më tani 15 pikë.

Stinori pranveror kthehet në shkurt, fillimisht me ndeshjes e Kupës së Kosovës. /Telegrafi/

















































