Bajrami reagon pas aktakuzës ndaj Hajdarit: U befasova që Albin Kurti nuk është pjesë e saj

Ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas ngritjes së aktakuzës ndaj ministres në detyrë të Industrisë, Rozeta Hajdari, në lidhje me kontraktimin e rezervave shtetërore.
Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka thënë se është befasuar që kryeministri Albin Kurti nuk është përfshirë në aktakuzë, duke e akuzuar atë për lejimin e blerjeve dhe tenderëve sekret me vlera të larta.
“Albini ka marrë vendim me ba blerje sekrete të miellit e vajit. Albini ka leju me u nënshkru mbi 2,400 tenderë sekret, në vlerë prej 270 milionë euro. Albini ka leju ‘mafinë energjetike’ dhe rreth 800 milionë euro import të rrymës. Andaj edhe unë dhe gjithë ata që e duan këtë Republikë kemi probleme me Albin Kurtin! U befasova se si ai nuk qenka pjesë e aktakuzës!”, ka shkruar Bajrami.
Reagimi i saj vjen një ditë pasi Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj Hajdarit dhe disa zyrtarëve tjerë për veprat penale të “keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “zbulimit të fshehtësisë zyrtare”.

















































