LAJMI I FUNDIT:

Bacë, nuk po punojmë sipas idealeve tua – për atdheun tonë

Bacë, nuk po punojmë sipas idealeve tua – për atdheun tonë

Kalova nëpër troje shqiptare dhe tek ti u ndala. Nga jugu e deri në veri qëndrova pranë përmendoreve të trimave që ranë sikur edhe ti për idealet e shoqërisë njerëzore. Me askënd nuk bisedova më shumë se që dua të flas me ty, me shpirtin e shqiptarit të madh, të njeriut njeri.

U ndala tek ti sepse ti je pikënisja e regjenerimit të vetëdijes shqiptare, domethënia e sakrificës njerëzore për të shtypurin dhe të pafuqishmin. Me mburrje qëndroj pranë trupit tënd për të marrë energji në rrugën tonë për t’i kontribuar edhe më tutje këtij nënqielli. Ti ishe dhe mbete inspirim dhe mbështetje për të gjithë; për të majtët dhe të djathtët që frymëzohen nga vepra jote; për fetarët dhe jo-fetarët që thirren në sakrificën tënde; për myslimanët që krenohen e për të krishterët që mburren me emrin tënd. Para teje u gjunjëzuan edhe të huajt të cilët propozuan çmimin Nobel për paqe, për ty dhe familjen tënde.


Bacë! Po qëndroj pranë varrit tënd jo për t’u përkulur. Nuk ishte përkulur as Xhozo teksa qëndronte pranë varrit të Muhamendit a.s. Nuk e bëj dot as sikur ata që vijnë e përkulën para trupit tënd, pa rregull e pa norma protokolli. Veprimtaria jote më bëri të vijë këtu, në Prekazin e Shqiptarisë. Besimi i thellë që pate në Zotin, tek ti reflektoi forcën e njeriut që lidhet fortë për tokën arbërore. Por, as kjo nuk më solli pranë varrit tënd. Allahu është ai që shpërblen për përkushtimin e secilit ndaj Tij. Sot jam këtu sepse ti ishe shqiptar që besove në vlerat e kombit, i kultivove dhe u mbështete në vullnetin tënd për liri.

Ti besove në punën, përpjekjen, sakrificën dhe në luftën e njeriut për vlerat njerëzore. Mrekullitë i krijove me duart e tua e në fund doli se jeta jote ishte një mrekulli.

Bacë! Ndjehem krenar me fuqinë tënde për t’i ndejë në ballë armiqve të kombit. Thellësisht përjetoj madhështinë e veprës dhe të mësimeve që u le bashkëkombësve tu. Por, baca Adem, në të njëjtën kohë jam duke përjetuar edhe peshën e vështirësive të Kosovës, të gjithë kombit shqiptar. Po të ishe gjallë, do të ndjeheshe keq kur t’i shihje të rinjtë nëpër rrugët e Evropës teksa bredhin të ikur nga vendi yt për të cilin jetën dhe çdo gjë tjetër flijove. Do të ishte ndjerë keq që edhe pas 15 vite nga vdekja jote, me mijëra shqiptarë treten nëpër llogore, burgje e nëpër male të Hungarisë teksa ikin nga Kosova për të cilën u flijove.

Bacë, në mes idealeve tua për Kosovën dhe realitetit të saj, sot ka dallime të mëdha. Edhe pse nuk është shumë larg koha kur ti iu ktheve Zotit si dëshmor dhe dëshmitar i përkushtimit tënd ndaj atdheut, besnikëria dhe sinqeriteti i shqiptarëve ndaj vendit duket se është larg nga besnikëria dhe sinqeriteti yt në kohën kur ti jetove. Fuqia e fjalës dhe veprës sate ishte e pastër dhe sublime, ndërsa ideali yt ishte Kosova e pavarur. Ti ishe i frymëzuar nga vepra e profetit që punoi shumë për atdheun e vet të cilin kurrë nuk e harroi, as kur u ngrit në qiell e as kur në tokë e mundonin njerëzit që i kishte përreth.

Bacë, ka ende shqiptarë që u djeg zemra për Shqipërinë, për bashkimin dhe për emrin shqiptar. Teksa kaloja nëpër troje shqiptare unë pashë patriotë që donë shumë kombin dhe atdheun. Por, ama, ata janë të pafuqishëm të bëjnë atë për të cilën ti vdiqe. Kanë vullnet të bëjnë më shumë, por nuk mundin. Përmendorja jote në Shqipëri kishte mbetur pa kujdesin e merituar, sikur edhe amaneti i veprës sate në Kosovë.

Deformimet, mistifikimet dhe kufizimi i respektit për ty në vetëm vizita sa për të kujtuar vdekjen tënde, janë përfytyrime të gabueshme, të zbehta dhe larg vullnetit tënd që pate për lirinë. Teksa qëndroj pranë varrit tënd, kujtoj njerëzit që harruan përmbajtjen e fjalës dhe amanetin e veprës sate dhe pa fije përgjegjësie, pa ambicie dhe pa ndjenjën e kreativitetit për punë, u lëshuan në formalizma sa për sy e faqe.

I dashuri Bacë! Emri i yt sot përmendet më shumë se sa kur ti ishe gjallë; fotografia jote qëndron e varur gati se në çdo mur; për ty shkruhet e këndohet sikur asnjëherë më parë; përmendoret e tua janë gjithkund; për ty janë thurur poezi; janë bërë filma të tërë; me emrin tënd janë emërtuar rrugë, godina e pallate… Por, sa ia vlen kjo kur ne më nuk punojmë sipas idealeve tua që pate për atdheun tonë.

Shqiptarët janë në pozitë të rëndë! E di që më nuk do të ngrihesh pos kur të dalësh para Zotit tënd, por nevoja për frymëzimin nga vepra jote është e madhe, ajo po ndjehet në të gjitha poret e jetës së kombit shqiptar.

Bacë, intelektualët, akademikët si dhe elita shqiptare nuk mund të lirohen nga përgjegjësia për këtë gjendje që jemi. Ne ende debatojmë rreth asaj se kush është intelektual, ende pyesim për rolin e akademive, ndërsa për elitën nuk dimë se kush është ajo! Akademitë e huaja përgatisin platforma, memorandume dhe shkruajnë histori, për akademitë tona thuhet se ende bëjnë sehir.

Bacë, edhe pas gjithë këtyre vuajtjeve, shqiptarët nuk donë të mësojnë. Ata, sikur të pa tru, ende flasin se çka është më mirë për ne; të bashkohemi apo të mbetemi kështu siç jemi! Jemi prurë në gjendje të pyesim se çka është patriotizmi, kush është patrioti dhe çka duhet të bëjë ai! Edhe më tutje filozofohet për kosovarizmin, shqiptarizmin, gegërishten, toskërishten, të kaluarën dhe të ardhmen fetare të shqiptarëve. Ende nuk jemi tok rreth fjalës së përbashkuar. Nuk mësuam nga historia sepse nuk jemi ne ata që e shkruajmë.

Kemi institute, shoqata, katedra e fakultete, por askush nuk shkroi historinë të jetë mësuese për gjeneratat që po vijnë. E kaluara jonë sulmohet egërsisht, kritikojmë secilin shqiptar, sulmojmë çdo vlerë që patëm, njollosëm çdo emër dhe në fund u sulmua edhe emri yt, Adem Jashari. Dashakeqët dhe injorantët janë në skenë. Nuk lanë asgjë pa njollosur, askënd nuk e kursejnë, secilin e sulmojnë dhe çdokënd e trazuan. Shqiptarët janë pezull në ajër, ndërsa poshtë tyre kërcasin dhëmbët e qenve që edhe më tutje shkretojnë shqiptarinë.

Baca Adem! Në Kosovë thuajse çdo gjë është tjetërsuar. Vlerat morale nuk janë më ato të traditës që e kultivuam me shekuj. Përkushtimi ndaj familjes, ndaj prindit, ndaj mikut rrethit është nën çdo nivel, respekti ndaj punës është zbehë, ajo që i takon shoqërisë nuk ruhet, ndërsa imazhi i kombit është nëpërkëmbë. Ndryshime ka pësuar edhe jeta fetare të cilën e kishim pasuri dhe që na dallonte nga shumë kombe të botës. Toleranca e dikurshme nuk ekziston, nuk pranojmë mendimin tjetër dhe secili pretendon që vetëm ai ka të drejtë, por jo edhe të tjerët.

Rinia jonë është vënë në gjumë dhe gabimisht ëndërron Evropën, imiton atë, por nuk përvetëson vlerat e saj. Ajo nuk di që rinia evropiane e pas luftës kishte punuar shumë, kishte fjetur pak, edhe më pak kishte harxhuar, por ishte avangarde e rimëkëmbjes se saj. Rinisë shqiptare nuk i është shpjeguar si duhet Evropa e pasluftës. As kuadri fetar i Bashkësisë Islame, por as të tjerët, nuk po japin kontributin e duhur në shpjegimin e përvojave të kombeve që kaluan nëpër ditë të vështira, sikur që po kalon edhe kombi shqiptar.

Në vend të shpjegimit të metodave efikase të Evropës së pasluftës për të dalë nga gjendja e rëndë që ishte, për rininë shqiptare janë hapë kafehane, shtëpi publike, kumarhane, disko, bingo e bastore gati më shumë se në gjithë Evropën. Rinia evropiane e pasluftës, e ndihmuar nga gruaja e atjeshme që pa përtesë dhe pa ndërprerë ndihmoi në pastrimin e rrënojave të luftës dhe mbi to, për më pak se 10 vite u ndërtua e gjithë infrastruktura e nevojshme për funksionimin dhe prosperitetin e shteteve evropiane. Shembulli më i mirë për tu veçuar ishte gruaja dhe rinia gjermane për të cilët fare pak shkruhet dhe askund nuk flitet.

Bacë, fabrikat e dikurshme që na sillnin para sot janë hipermarkete që na i marrin ato. Paraja e shqiptarëve dërgohet jashtë, sepse në Kosovë thuajse asgjë nuk prodhohet. Universiteti me të cilin ti krenoheshe, për nga kualiteti sot është ndër të fundit në botë. Spitalet janë në mjerim, nuk kanë barna e as preparate të nevojshme për të sëmurit. Kosova është shndërruar në koloni, jo e të huajve, por e atyre që donë ta hanë dhe për së gjalli.

Bacë, sot këtu pranë varrit tënd po mundohem që thellësisht ta përjetojë dhe ta kuptoj problemin e zhvillimit të gjithmbarshëm të kombit shqiptar. Edhe në këtë gjendje të rënd që jemi, kam shpresën se do të gjejmë një rreze dritë në fund të tunelit. Ani pse të ndarë dhe egërsisht të atakuar në vlerat kombëtare, ani pse gjithë ky keqmenaxhim dhe keqpërdorim i pushtetit që është bërë dukuri e keqe e jona, shpresojmë shumë në potencialet e kombit për t’ia dalë mbarë.

Të këqijat që po manifestohen në jetën tonë nuk duhet të na frikojnë e as të na bënë pesimistë. Jam i sigurt se është duke u punuar diçka e re dhe e mirë. Kriza dhe kjo dhembje që ka populli është rezultat i Lindjes së Re. Dhembja ne lindje te reja duhet pranuar për normale, por duhet mënjanuar ato. S’ka dyshim se kombi do të gjen rrugën e drejtë dhe do të fitohet beteja kundër antivlerave që kanë ngulfatur qenien tonë.

Jetësimi i drejtë i idealeve tua për shqiptarët është shpresë për triumf. Kontributi e veprës sate në këtë drejtim është dhe do të jetë i madh, baca Adem!

Në trend

Më shumë
Vetëm dy vende do të mbijetonin pas apokalipsit bërthamor - çka do t'i shpëtonte këto shtete

Vetëm dy vende do të mbijetonin pas apokalipsit bërthamor - çka do t'i shpëtonte këto shtete

Botë
Harry Kane emëron ish-yllin e Liverpoolit si lojtarin më të nënvlerësuar ndaj të cilit ka luajtur

Harry Kane emëron ish-yllin e Liverpoolit si lojtarin më të nënvlerësuar ndaj të cilit ka luajtur

Përfaqësueset
Amerikani bleu një magazinë të vjetër për 380 euro - ajo çfarë gjeti në të është një pasuri e vërtetë

Amerikani bleu një magazinë të vjetër për 380 euro - ajo çfarë gjeti në të është një pasuri e vërtetë

Amerika
Robert Berisha: Xhensila duhet ditë e natë t'i falënderohet Bes Kallakut për famën që ka, sepse ka qenë vajzë që s'e ka njohur askush

Robert Berisha: Xhensila duhet ditë e natë t'i falënderohet Bes Kallakut për famën që ka, sepse ka qenë vajzë që s'e ka njohur askush

Magazina

"Pulë me të huaj dhe skifter me të vetët”, Alizoti: Rama duhet ta kishte përqafuar Kurtin

Lajme
Letra e Qeverisë drejtuar Këshillit të Evropës, reagimi i Presidencës dhe deklarata e Gjermanisë, Francës dhe Italisë për Asociacionin

Letra e Qeverisë drejtuar Këshillit të Evropës, reagimi i Presidencës dhe deklarata e Gjermanisë, Francës dhe Italisë për Asociacionin

Lajme
Kalo në kategori