Babai kishte dalë nga burgu në Itali, zbardhen detaje nga plagosja e dy të rinjve në Durrës

Një ngjarje e rëndë është shënuar paraditen e së hënës në qytetin e Durrësit, ku babai ka plagosur me thikë vajzën e tij 24-vjeçare, si edhe një të ri kalimtar që ndërhyri për të ndaluar konfliktin.
Sipas Policisë, autori i dyshuar është Mikel Ndoj, 56 vjeç, i cili pas sulmit është larguar nga vendi i ngjarjes dhe ndodhet në kërkim. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:03.
Vajza e plagosur, Xhesika Ndoj, si edhe i riu Onard Memlika, janë transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Durrësit, bluzat e bardha bëjnë me dije se ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Sipas dyshimeve paraprake, konflikti mendohet që ka lindur për shkak të mospranimit të autorit në familje.
Mësohet se 56-vjeçari kishte kryer burg në Itali dhe ishte kthyer së fundmi në Shqipëri, ku kishte kërkuar të ribashkohej me familjen, por kjo kërkesë nuk është pranuar nga vajza e tij.
Kjo dyshohet se ka çuar në përshkallëzimin e situatës, duke bërë që ai t’i shkonte vajzës në vendin ku ajo punonte dhe ta plagoste me thikë në rrugë.
Gjatë ndërhyrjes për t’i ndarë, një kalimtar i rastit ka mbetur gjithashtu i plagosur.
Policia dhe grupi hetimor po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërkohë që vijojnë kontrollet për kapjen e autorit./euronews/




















































