Babadimri është në mesin tonë!
Shteti më i ri në botë (Kosova) që nga viti 2000 është kapluar nga një fluks i babadimrave të pasur të cilët na vizitojnë çdo herë gjatë para zgjedhjeve, qofshin ato lokale apo parlamentare. Ajo çka i dallon babadimrat që vijnë në Kosovë prej atyre që shkojnë në vendet tjera të botës, është gjendja e tyre financiare! Te ne të gjithë janë miliarderë, sjellin me vete milionat për çdo komunë ndërsa në vendet tjera të botës u dërgojnë lodra fëmijëve.
Në kulturat perëndimore, dhuratat që sjell ky plak i urtë, që viziton shtëpitë gjatë festave të fundvitit, u jepen fëmijëve të urtë dhe “të dëgjueshëm”. Sa më të dëgjueshëm, aq më shumë dhurata. Babadimrat e Kosovës nuk dallojnë edhe shumë, përveç faktit se vlera monetare e dhuratës është shumë e lartë dhe “të dëgjueshmit”nuk janë fëmijët, mirëpo janë të gjithë qytetarët më të moshuar se 18 vjet – pra, votuesit!
Nga lista e dhuratave menjëherë janë përjashtuar të gjithë ata që nuk kanë pasur sjellje të mira gjatë viteve 2008 dhe 2009. Pra, dhurata këtë vit nuk do të marrin: Vetëvendosja, një pjesë e opozitës, disa mediume të shkruara, një pjesë e madhe e shoqërisë civile dhe të gjithë ata që bëjmë shkrime e publikime për babadimrat, për shkak se me këtë e cenojmë “shenjtërinë e tyre”. Ajo që ne do të përfitojmë është një vërejtje dhe këshillë për tu bërë “të dëgjueshëm” gjatë katër viteve në vijim, me qëllim që të përfitojmë gjithë ato dhurata milionëshe që do t’i marrin pjesa tjetër.
Shpresoj se nuk do ta lëndojmë këtë plak të urtë me këto komente. Në fund të fundit, fati ynë dhe i qyteteve tona varet nga zemërgjerësia e tij dhe kuptohet, e ardhmja jonë do të udhëhiqet nga urtësia e tij. Komuna e Prishtinës do të shndërrohet në metropol, Prizreni dhe Gjilani do të kenë universitetet shtetërore (pasi që Plaku i Dimrit i kushton shumë rëndësi arsimimit dhe shkencës), ndërsa edhe qytetet tjera do të përfitojnë, kush më shumë e kush më pak. Mirëpo ju lus për kujdes, sepse edhe kjo “pak”e këtij fundviti është shumë. Babadimri këtë vit ka qenë shumë zemërgjerë.
Nuk na mbetet më shumë se sa të fillojmë të shkruajmë letra të mbushura me dëshira dhe të tregojmë për sjelljet tona të mira, me qëllim që edhe ne, në zgjedhjet e ardhshme të marrim të paktën një dhuratë. Deri atëherë, bashkëqytetarë të dashur, ti gëzoni festat e fundvitit të cilat fillojnë me 15 nëntor. Babadimri është në mesin tonë.
(Autori është kandidat për magjistër të Shkencave Juridike në Universitetin Karl Franzens – Austri)



































