Azemi pas takimit me Muratin: U pajtuam që nga janari paga minimale të jetë 500 euro

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, pas takimit me ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se është arritur pajtueshmëri që paga minimale të jetë 500 euro.
Azemi tha se, nëse gjithçka shkon sipas planit, kjo pagë do të fillojë të zbatohet nga janari i vitit të ardhshëm.
“Në takimin e sotëm është diskutuar lidhur për pagën minimale. Normal që ne si udhëheqës i sindikatës së punëtorëve kemi kërkuar që kjo pagë minimale të jetë 600 euro. Unë e kam pa pëlqimin e njerëzve kompetentë, qeverisë në detyrë që vlerësimi i tyre të jetë 500 euro. E kam pyetur decidivisht se nëse gjithçka shkon mirë kur mendoni të fillojë së implementuari”, ka thënë Azemi.
Sipas tij, propozimi për rritjen e shumës në 600 euro nuk është hedhur poshtë plotësisht, pasi është paralajmëruar se për këtë do të ketë diskutime të mëtejshme me palët përkatëse.
Ndërsa Kushtrim Ahmeti nga Dhomat e Tregtisë ka thënë se takimi me Muratin ishte konsultativ e ku thotë të kenë kërkuar që ky proces të shtyhet deri të bëhet një Qeveri të plotë dhe një Kuvend funksional.
“Nuk jemi kundër rritjes së pagës por momentumi dhe situata politike me të cilën po përballet vendi nuk është e favorshme. Ne i kërkuam ministrit, Hekuran Murati që ky proces të shtyhet derisa të ketë një Qeveri fuqiplotë dhe një Kuvend funksional. Dhe të kemi një analizë të thuktë të situatës aktuale ekonomike të cilën e ka vendi. D.m.th duke marrë të gjithë faktorët para se të dilet me propozime”, ka thënë ai.
Ahmeti po ashtu tha se një tjetër kërkesë është që të funksionalizohet Këshilli Ekonomiko-Social i cili vazhdon të mos jetë funksional.
“Të shkojë ky proces i vendosjes së pagës minimale përmes Këshillit Ekonomik-Social siç është bërë përherë, përjashto herën e fundit, ku ne nuk jemi pyetur fare. Ne kërkuam që ky proces të ketë një përfaqësim më të gjerë”, tha ndër të tjera Ahmeti. /Telegrafi/



















































