AVONET: Duart larg nga sistemi i pavarur gjyqësor dhe ai i ndjekjes penale

Rrjeti i organizatave joqeveritare AVONET ka reaguar me shqetësim të thellë ndaj, siç e cilëson, sulmit ndaj Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, si dhe ndaj deklaratave publike të zyrtarëve të lartë qeveritarë për vendimin e Gjykatës Supreme në çështjen e arkave fiskale.
Në një deklaratë publike, AVONET thekson se sulmi ndaj kryeprokurorit Isufaj, në kohën kur ai ka nisur hetime për dyshime mbi keqpërdorime në tenderë publikë dhe menaxhimin e parasë publike, përbën një kërcënim serioz për sistemin e drejtësisë dhe përpjekjet kundër korrupsionit në vend.
“Ky sulm përbën kërcënim serioz ndaj sistemit të drejtësisë, funksionimit të shtetit ligjor dhe përpjekjeve për luftimin e korrupsionit në Kosovë”, thuhet në reagimin e AVONET.
Po ashtu, rrjeti i OJQ-ve dënon deklaratat denigruese të disa zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës në drejtim të vendimit të Gjykatës Supreme për rastin e arkave fiskale, duke i cilësuar ato si cenim të pavarësisë së pushtetit gjyqësor dhe si retorikë të papërgjegjshme me prapavijë politike.
AVONET i ka bërë thirrje Prokurorisë që të nisë menjëherë hetime për çdo kërcënim apo presion ndaj kryeprokurorit dhe prokurorëve të tjerë që hetojnë raste të ndjeshme.
Organizata gjithashtu u ka kërkuar zyrtarëve qeveritarë të përmbahen nga deklaratat që mund të minojnë besimin e publikut ndaj drejtësisë dhe të respektojnë pavarësinë institucionale.
“Lufta kundër korrupsionit nuk mund të zhvillohet pa një sistem të drejtësisë të pavarur dhe të pakorruptueshëm. Çdo tentim për ta frikësuar apo diskredituar atë është sulm direkt ndaj demokracisë dhe interesit qytetar”, përfundon deklarata e AVONET.


































