Rrjeti i Organizatave Joqeveritare AVONET ka ngritur dyshime të forta për kundërligjshmëri në praktikat e fundit të Policisë së Kosovës, e cila ka nisur shqiptimin e gjobave për kundërvajtje në trafik përmes kamerave të sigurisë publike.

Sipas AVONET-it, kjo metodë, e cila ka filluar të zbatohet nga Drejtoria e Policisë së Prizrenit, nuk gjen mbështetje në asnjë dispozitë ligjore në fuqi.


Në njoftimin e Policisë thuhej se “kundërvajtësit janë identifikuar përmes kamerave të sigurisë në qytet” dhe se “gjobat u dërgohen në shtëpi përmes Postës së Kosovës”.

Por AVONET thekson se një praktikë e tillë tejkalon autorizimet ligjore të Policisë.

Sipas organizatës, Ligji për Policinë dhe Ligji për Trafikun Rrugor nuk parashohin përdorimin e kamerave të qytetit për shqiptimin e gjobave kundërvajtëse.

Këto kamera, sipas ligjit, janë të destinuara për sigurinë publike, parandalimin dhe hetimin e veprave penale, e jo për ndëshkimin e shkelësve të rregullave të komunikacionit.

AVONET kujton se edhe Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në nenin 75, përcakton qartë se të dhënat e mbledhura përmes kamerave mund të përdoren vetëm për parandalimin e kërcënimeve ndaj sigurisë publike ose për ndjekjen penale të krimeve.

Çdo përdorim për qëllime të tjera, si shqiptimi i gjobave, përbën shkelje të parimeve të përpunimit të ligjshëm të të dhënave personale dhe cenon privatësinë e qytetarëve.

Duke e konsideruar këtë një praktikë të jashtëligjshme, AVONET ka paralajmëruar se çështjen do ta trajtojë në nivel institucional dhe me akterët relevantë, me qëllim të garantimit të ligjshmërisë, transparencës dhe mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve.