AUV asgjëson 2,064 kilogramë mish pule të importuara nga Polonia për shkak të Salmonellës

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Republikës së Kosovës (AUV) ka njoftuar opinionin publik se gjatë kontrollit të një ngarkese të produktit MDM pule, të importuar nga Polonia nga prodhuesi CEDROB S.A., Ubojnia Drobiu Ujazdówek, dhe i importuar nga kompania KAJMAK SHPK, Prizren, është konstatuar prania e bakterit Salmonella spp.
Sipas njoftimit të AUV-së, pas pranimit të njoftimit nga RASFF dhe me kërkesë të kompanisë KAJMAK SHPK, përmes inspektimeve të realizuara nga AUV, është vërtetuar prania e salmonelës në sasinë 2064 kilogramë mish pule.
“Pas konstatimit të këtij rasti, sasia e importuar është asgjësuar në përputhje me procedurat ligjore në fuqi dhe standardet e sigurisë ushqimore”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu theksohet se AUV vazhdon të monitorojë situatën me kujdes të shtuar dhe të bashkëpunojë ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare, si dhe me bizneset që merren me importin e mishit, me qëllim të identifikimit dhe parandalimit të rasteve të ngjashme, për të siguruar ushqim të sigurt dhe në përputhje me standardet evropiane.
Ky veprim vjen si pjesë e masave të AUV-së për të mbrojtur shëndetin e konsumatorëve dhe për të garantuar sigurinë ushqimore në vend. /Telegrafi/







































