LAJMI I FUNDIT:

Autostrada Tetovë- Gostivar rrezik për vozitësit

Autostrada Tetovë- Gostivar rrezik për vozitësit

Autostrada Tetovë- Gostivar vazhdon të përbëjë rrezik për vozitësit. Rreth 50 për qind e kësaj autostrade është edhe më tej pa mbrojtjet anësore edhe përkundër aksidenteve dhe reagimeve të shumta. Shumë nga aksidentet e deritanishme të shkaktuara nga kafshët që lëvizin lirshëm nëpër autostradë si pasojë e mungesës së sigurisë kanë qenë fatale, transmeton Telegrafi Maqedoni.

Televizioni Alsat ka zhvilluar një anketë të pjesëmarrësve në komunikacion në këtë aks rrugor. Në vazhdim ja disa nga deklaratat e tyre:


“Rrezikohemi se nuk ka tela, duhet tela të ketë anash autostrada, nuk i vendojnë por edhe mungojnë, ndoshta edhe i vjedhin. Por vërtet rrezik me kafshët, sidomos me qentë endacak shumë ka. I ka ndodhur njërit para meje, një furgoni, me të vërtetë shumë keq e shkatërroi atë, kah dhjetë e natës ishte shumë keq u bë furgoni”.

“Është rrezik por çka të bëjmë, këto janë kushtet do pajtohemi”. “Qen dalin shpesh, na rrezikojnë shumë”.

Nga Ndërmarrja Publike “Rrugët e Maqedonisë”, për këtë situatë i fajësojnë banorët e pandërgjegjshëm.

“Ne bëjmë kërkesa permanente sepse gjatë dëmtimit të mburojave ne reagojmë. Njëkohësisht bëjmë apel te Policia rrugore dhe organet tjera për ndjekje ti kontrollojnë dhe ti ruajnë bashkë me gjithë qytetarët dhe nëse dikush sheh, ta denoncojë këtë sepse me të vërtetë rreziku zmadhohet shumë kur nuk ka mburoja”, ka deklaruar Gajur Kadriu, drejtor i NP “Rrugët e Maqedonisë”.

Sipas të dhënave nga Sektori i punëve të brendshme të Tetovës, vetëm vitin e kaluar ka pasur gjithsej 59 aksidente si pasoje e kafshëve të dala në autostradë, ndërsa këtë vit, për vetëm, gjashtë muaj ka pasur 27 aksidente./Telegrafi/