LAJMI I FUNDIT:

Autoshkollat ankohen se Rregullorja e MI-së po shkakton vonesa

Autoshkollat ankohen se Rregullorja e MI-së po shkakton vonesa

Drejtues të Auto-shkollave kritikojnë Ministrinë e Infrastrukturës se me Rregulloren e re po shkaktojnë pritje të gjata të kandidatëve për paraqitje të provimeve për patentë-shofer. Ata theksojnë se në Qendrën për patentë shofer në Prishtinë, ka disa muaj që qytetarët të cilët aplikojnë për testin me shkrim presin deri në 6 javë për t’iu nënshtruar provimit.

Kandidatja me inicialet V.V. e cili ka paraqitur provimin më 11 nëntor i duhet të presë deri më datën 21 dhjetor.


Pritje të ngjashme kanë edhe kandidatë tjerë. Florije Hajdini nga Prishtina, thotë se ka pritur më shumë se një muaj, por edhe nëse ankohet thekson se nuk merren për bazë nga askush.“Nuk di ku të ankohem, sepse çdo herë gjejnë arsye tjera. Nuk merret për bazë kërkesa e qytetarit dhe pse me u ankuar”, thotë ajo.
Për këto ankesa është ankuar edhe nënkryetari i Federatës së Auto-shkollave të Kosovës, Afrim Ismajli, sipas të cilit, nga viti 2007 kanë probleme të vazhdueshme.

“Më mirë do të ishte që kandidatët me paraqit provimin në auto-shkollë dhe nuk do të kishte kësi tollovi”, thotë ai. Sipas Ismajlit, rreth 20 shkresa ua kanë dërguar por që nuk kanë marrë përgjigje.

“E kemi edhe problemin kur shkojmë me paraqit provimin me testu kandidatin në vozitje, ekzamineri ka të drejtën sikur me kanë pronë private, ashtu e kanë bërë ligjin nëse donë na lë në veturë, nëse jo nuk na lë. Veprojnë si të duan”.

Ndërsa, Ministria e Infrastrukturës i hedh poshtë akuzat e Auto-shkollave. Sipas Ministrisë së Infrastrukturës, Departamenti për Patentë-shofer ka në dispozicion shtatë Qendra të testimit në shtatë Regjionet e Kosovës dhe se të gjitha janë duke punuar me kapacitete të plota.
“Por tani kemi një situatë normale të pritjes së kandidatëve që kanë ardhur për paraqitje të provimit për patentë-shoferë dhe nuk flitet për radhë ose pritje të gjata. Ndërsa, në Njësitë Rajonale të Patentë Shoferëve: Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Prizren, Ferizaj dhe Gjilan pritja e kandidateve për paraqitje të provimit për patentë-shoferë është në suaza normale”, thuhet në përgjigjet e Ministrisë. /EkonomiaOnline/Telegrafi/