Autoritetet franceze: Sulmi me thikë pranë zyrës së Charlie Hebdo 'një akt terrori'

Një sulm me thikë në Paris nga i cili mbetën të plagosur dy persona po trajtohet si një sulm terrorist, ka thënë ministri i brendshëm francez.
Gérald Darmanin tha se sulmi pranë ish-zyrës së revistës satirike Charlie Hebdo ishte "qartë një akt i terrorizmit islamik", shkruan BBC, përcjell Telegrafi.
Ndërkohë bëhet e ditur se një burrë me origjinë pakistaneze i përshkruar si i dyshuari kryesor u arrestua afër vendit të ngjarjes.
Të paktën katër persona të tjerë janë arrestuar, gjithashtu.
Viktimat - një burrë dhe një grua që punonin në një kompani prodhimi të TV - u plagosën rëndë nga një armë e tipit hanxhar, tha policia.
Kryeministri Jean Castex u tha gazetarëve në vendin e ngjarjes - afër Bulevardit Richard-Lenoir - se jeta e tyre nuk ishte në rrezik.
Sulmi erdhi ndërsa një gjyq i profilit të lartë ishte në proces ndaj 14 personave të akuzuar për ndihmën e dy xhihadistëve që kryen sulmin në 2015 ndaj Charlie Hebdo, në të cilin u vranë 12 persona. /Telegrafi/












































